Lidhje

Pompeo viziton vendbanimet hebraike


Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u bë diplomati i parë i lartë amerikan që vizitoi vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor. Shumica e bashkësisë ndërkombëtare i sheh vendbanimet si të paligjshme.

Ishte një udhëtim i shkurtër me helikopter që bëri histori dhe përmbysi katër dekada të politikës amerikane në Lindjen e Mesme. Destinacioni i Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo në Bregun Perëndimor ishte qendra e prodhimit të verës Psagot. Ai gjithashtu vizitoi Lartësitë Golan.

"Sot do të kem një shans për të vizituar Lartësitë Golan. Njohja e këtij territori si pjesë e Izraelit, gjithashtu ishte një vendim i rëndësishëm historik i Presidentit Trump dhe është thjesht një njohje e realitetit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shprehu mirënjohjen e tij për Presidentin Donald Trump.

"Falë angazhimit të Presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara njohën Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosën ambasadën e saj këtu. Falë Presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara njohën sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë Golan."

Palestinezët protestuan kundër vizitës së Sekretarit Pompeo në territoret e pushtuara të Bregut Perëndimor, duke thënë se kjo krijon një precedent të rrezikshëm.

"Ky vendbanim është njëri nga njëqind apo më shumë vendbanime paligjshme në të gjithë Bregun Perëndimor, pavarësisht se kush i viziton ato", tha Sam Bahour, një biznesmen palestinezo-amerikan.

Disa analistë gjithashtu shprehën shqetësimin e tyre për këtë, duke i konsideruar vendbanimet hebraike si një pengesë për një zgjidhje me dy shtete - një marrëveshje paqeje që varet nga krijimi i një shteti të veçantë palestinez.

"Çdo gjë përforcon idenë se Izraeli do të kontrollojë përgjithmonë pjesën më të madhe të Bregut Perëndimor pa bërë asnjë lëshim tjetër territorial dhe pa një shtytje serioze për një zgjidhje me dy shtete, është shqetësuese për mua", tha analisti Michael O’Hanlon nga Instituti Brookings.

Autoriteti Palestinez njoftoi të martën se do të rifillonte bashkëpunimin me Izraelin, duke i varur shpresat në një fillim të mundshëm të procesit të paqes në janar pas inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG