Lidhje

25 vjet pas përfundimit të luftës së Bosnjës


President Slobodan Milosevic of Serbia (L), President Alija Izetbegovic of Bosnia-Herzegovina (C) and President Franjo Tudjman of Croatia sign the Dayton Agreement peace accord at the Hope Hotel inside Wright-Patterson Air Force Base in this November 21,

21 nëntori shënon 25 vjetorin e përfundimit të luftës së Bosnjes. Marrëveshja e Dejtonit i dha fund luftimeve etnike që zgjatën për tre vjet e gjysmë në Bosnje, ku u vranë 100,000 njerëz dhe u shpërngulën nga shtëpitë e tyre 2 milionë të tjerë. Por 25 vjet pas luftës vendi vazhdon të përballet me problemet ekonomike dhe korrupsionin.

Mirsad Zahiroviç ka mbaruar universitetin për gazetari, por punon si kamerier, pasi nuk është anëtar i asnjërës prej partive politike në pushtet, që është pothuajse mënyra e vetme për të gjetur një vend pune në Bosnje.

28-vjeçari i përket brezit të "fëmijëve të Dejtonit", një gjeneratë e lindur pas marrëveshjes së paqes të nënshkruar 25 vjet më parë në një bazë të forcave ajrore amerikane në Dejton të shtetit, Ohajo.

Zahiroviç, i cili ka realizuar një film dokumentar për brezin e Dejtonit, nuk sheh shumë përfitime nga këto 25 vjet paqe.

"E vetmja e mirë që erdhi nga Dejtoni ishte ndalimi i luftës, por fatkeqësisht marrëveshja lejoi të ndodhnin disa gjëra të tjera. Për shembull, për 30 vjet ne kemi korrupsion në rritje, shteti po vidhet nga të gjithë. Aktualisht, ne jemi duke e luftuar korrupsionin, por qytetarët janë ata që po vuajnë më së shumti", thotë Zahiroviç.

Bosnja po shënon 25 vjetorin e marrëveshjes së Dejtonit pa shumë bujë, politikisht e polarizuar, ndërsa rivalët etnikë grinden nëse duhet ta lënë të pa ndryshuar marrëveshjen, apo të rishikojnë kushtetutën, që është pjesë e saj.

Marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara i dha fund luftës mes serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve duke e ndarë vendin në dy njësi etnikisht të ndara, të lidhura përmes një qeverie të dobët qendrore.

"Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është ruatja e marrëveshjes së Dejtonit që bazohet në respektimin dhe mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës. Marrëveshja e Dejtonit dhe kushtetuta e Bosnje-Hercegovinës nuk lejon ndarjen. Bosnje-Hercegovina mund të ketë sukses si një e tërë, si një shtet i përbërë nga dy entitete dhe e integruar në Bashkimin Evropian. Ne shohim se kjo është ajo që duan shumica e qytetarëve - sigurinë dhe prosperitetin, që ofron integrimi dhe komuniteti transatlantik", thotë ambasadori amerikan në Bosnje-Hercegovinë Eric Nelson.

Disa vjet pas marrëveshjes, distrikti verior i Brçkos u shpall një zonë neutrale jashtë juridiksionit të dy rajoneve dhe u vlerësua si suksesi më i madh i Bosnjes pasi refugjatët nga të gjitha grupet etnike u kthyen dhe ekonomia filloi të lulëzojë. Por kjo nuk vazhdoi gjatë.

"Vite më parë, distrikti i Brçkos konsiderohej si një nga vendet më të preferuara të komunitetit ndërkombëtar. Shumë nga proceset që ndodhën këtu dhe që mund të kenë patur ndikim negativ, u panë në mënyrë të favorshme pikërisht për të ruajtur pozitën e distriktit të Brçkos. Që kur u dobësua angazhimi i komunitetit ndërkombëtar pasi mbikëqyrja ndërkombëtare u pezullua, zhvillimi i distritit është ndalur", thotë kryetari i bashkisë së Brçkos, Sinisa Miliç.

Zhvillimi i shpejtë ekonomik, që u vu re pas marrëveshjes së Dejtonit, ka ngecur, ndërsa investitorët filluan të mos i qasen më vendit të penguar nga burokracia dhe korrupsioni. Bosnja prej vitesh radhitet në fund të indeksit për korrupsionin të organizatës Transparency International, me një rënie të vazhdueshme që nga viti 2012.

Ka pasur gjithashtu një eksod masiv të të rinjve. Sipas raportit të Konkurrencës Globaletë publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror në vitin 2018, Bosnja ka rrjedhjen më të madhe të trurit në botë së bashku me Haitin dhe Venezuelën.

Zijad Custo, një dëshmitar i luftës shikon përtej portave që të çojnë në një ish-kamp të Banja-Lukës të drejtuar nga serbët, ku më shumë se 3,000 boshnjakë dhe kroatë u mbajtën dhe u torturuan nga maji deri në korrik të viti 1992 dhe mbi 500 njerëz u vranë.

"Për fat të keq, edhe sot nuk ka asnjë pllakë përkujtimore për atë që ndodhi. Unë si ish i arrestuar kam forcën dhe luftoj për paqen, sepse ne, viktimat e luftës, e dimë mirë se çfarë ka ndodhur në këtë vend, pavarësisht nga kombi dhe feja. Aktivizmi vazhdon të na mbajë gjallë".

Ngecja e ekonomisë është e dukshme në Brçko, ku pak njerëz janë optimistë për të ardhmen.

"Situata është e vështirë, asgjë nuk ka ndryshuar që kur mbaroi lufta. Partitë politike bëjnë ende të njëjtën propagandë, nuk ka përparim. Jam pesimist por mbetem optimist", thotë boshnjaku Jasmin Jukan, duke kaluar pasdites së bashku me fqinjët e tij serbë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG