Lidhje

G-20 garanton lehtësi maksimale për shpëndarjen e vaksinës në gjithë botën


Grupi i 20 vendeve më të industrializuara të botës, u zotua të dielën të mos kursejë asnjë përpjekje për ta bërë gjerësisht të disponueshme në të gjithë botën, vaksinën kundër COVID-19-s. "Ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të siguruar që qasja ndaj vaksinave, testeve dhe trajtimin kundër COVID-19-s të jetë e përballueshme dhe e të barabartë për të gjithë njerëzit", thuhej në komunikatën e fundit të grupit të dielën.

Sot ishte dita e dytë dhe e fundit e takimit virtual të vendeve të Grupit të 20-s që u mbajt në Arabinë Saudite. Presidenti amerikan Donald Trump, i cili nuk ka bërë shumë paraqitje publike që nga humbja në zgjedhjet presidenciale në fillim të këtij muaji, morri pjesë në takimin e së dielën, sikurse ditën e shtunë.

Pandemia dhe recesioni ekonomik dominuan ditën e parë të takimit dy-ditor virtual të 20 vendeve më të industrializuara të botës dhe atyre në zhvillim. Udhëheqësit e G-20-s janë të shqetësuar se pandemia do të zgjerojë më tej hendekun mes të pasurve e të varfërve. Për të luftuar atë, Bashkimi Evropian ka kërkuar 4.5 miliardë dollarësh fonde për një projekt global që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë përshpejton prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave, testeve dhe trajtimeve. Kancelarja gjermane Angela Merkel premtoi rreth 593 milionë dollarë. Presidenti rus Vladimir Putin ofroi vaksinën e prodhuar nga vendi i tij Sputnik V ndërsa Kina ofroi të bashkëpunojë për prodhimin e vaksinave. Të shtunën, ndërsa mbahej fjala e hapjes në takimin e nivelit të lartë, zoti Trump shkruante në Twitter për manipulime me votat në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në SHBA, por pa ofruar fakte dhe më pas u nis për të luajtur golf në klubin e tij në Virxhinian veriore.

Të shtunën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany tha se zoti Trump kishte folur mbi nevojën për të punuar së bashku për të siguruar rritjen ekonomike, por ajo nuk përmendi ndonjë angazhim nga ana e SHBA-së për të mbështetur me fonde shpërndarjen e vaksinës në nivel botëror.

Pasi zoti Trump u largua nga takimi virtual, Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin, i cili mori pjesë gjithashtu në takim shprehej nëpërmjet një deklarate se Iniciativa për Pezullimin e Shlyerjes së Borxhit është një arritje e rëndësishme e G-20-s si përgjigje ndaj pandemisë. Nisma synon të ndihmojë vendet më të varfra të botës të përballen me pasojat e pandemisë deri në mes të vitit të ardhshëm.

Në deklaratën e zotit Mnuchin thuhej gjithashtu se korniza e përbashkët e G-20 do të ndihmojë vendet më të varfëra të trajtojnë problemet e borxhit të shkaktuara nga pandemia "duke koordinuar zgjidhje për borxhin kombëtar nëse do të jetë e nevojshme". Takimi i G-20-s po mbahet kryesisht në internet për herë të parë këtë vit për shkak të pandemisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG