Lidhje

Gjykata nxjerr urdhër kundër ndërhyrjes editoriale nga USAGM-ja


Një gjykatë federale në Uashington lëshoi të premten një urdhër paraprak që ndalon zyrtarët e Agjencisë Amerikane për Median Globale, duke përfshirë kreun e saj, Michael Pack, të ndërhyjnë në pavarësinë editoriale dhe të drejtat që gëzojnë bazuar në Amandamentit e Parë (të Kushtetutës) gazetarët e Zërit të Amerikës dhe organizatave të tjera që ajo mbikëqyr.

Vendimi, i lëshuar nga Beryl Howell, Kryetare e Gjykatës së Uashingtonit, vendosi që një kërkesë për urdhër paraprak nga paditësit të pranohej pjesërisht. Urdhri është një masë e përkohshme për të parandaluar veprimet e mëtejshme të paraqitura në ankesë, derisa të mbahet një proces gjyqësor.

Vendimi lidhet me një ankesë të paraqitur nga pesë zyrtarë të USAGM të pezulluar përkohësisht nga puna në gusht dhe Drejtorja e Programeve të Zërit të Amerikës, Kelu Chao, ku argumentohej se veprimet e ndërmarra nga kreu i ri i USAGM-së ishin të paligjshme dhe shkelnin Amandamentin e Parë të Kushtetutës amerikane dhe murin ndarës ligjor të vendosur për të parandaluar ndërhyrjet e jashtme.

Vendimi i gjykatëses Howell është një goditje e fortë për zotin Pack, një ish-producent filmash, me pikëpamje konservatore, i caktuar nga Presidenti Donald Trump për të drejtuar Agjencinë e sapo ristrukturuar amerikane të Medias Globale (USAGM). Pas konfirmimit të zotit Pack nga Senati në fund të qershorit, udhëheqësit kryesorë të Zërit të Amerikës dhe rrjeteve të tjera dhanë dorëheqjen ose u larguan, punësimet dhe shpenzimet u ngrinë dhe zoti Pack ndaloi miratimin e rinovimit të vizave për gazetarët e huaj që punojnë për agjencinë.

Përveç kësaj, të emëruarit politikë të zotit Pack kryen hetime të brendshme ndaj gazetarëve dhe redaktorëve të dyshuar për prodhimin e lajmeve kritike ndaj Presidentit Trump dhe administratës së tij, që sipas ankesës kishin një efekt tronditës në punën e redaktorëve dhe reporterëve.

Sipas urdhrit, zyrtarëve të USAGM, përfshirë zotit Pack, u ndalohet të "ndërhyja në punën e personelit ose të marrin vendime" në lidhje me personelin që vendos mbi linjën editoriale të Zërit të Amerikës dhe rrjeteve të tjera të agjencisë; komunikimi i drejtpërdrejtë me redaktorët dhe gazetarët, me përjashtim të drejtuesve të atyre rrjeteve, ose pa marrë pëlqimin e drejtorëve përkatës; dhe kryerjen e hetimeve mbi përmbajtjen, gazetarët dhe shkeljet e pretenduara të etikës në rrjete.

Kërkesat e refuzuara

Gjykata hodhi poshtë pjesën e kërkesës që përfshinte shkelje të pretenduara të Aktit Ndërkombëtar të Transmetimit, Aktit të Procedurës Administrative dhe detyrave të zotit Pack si drejtues i USAGM-së dhe aktiviteteve që pretendohet se tejkalojnë autoritetin e tij.

USAGM nuk iu përgjigj një kërkese me email të Zërit të Amerikës për të komentuar mbi këtë çështje.

"Pavarësia editoriale dhe integriteti gazetaresk, pa ndërhyrje politike, janë elementët thelbësorë që mbështesin Zërin e Amerikës dhe na bëjnë zë të Amerikës", tha drejtori i përkohshëm i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj.

"83 për qind e audiencës së Zërit të Amerikës e konsideron gazetarinë tonë të besueshme. Ka pak organizata mediatike që mund të pretendojnë se kanë një nivel të tillë besueshmërie”, shtoi zoti Biberaj.

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë argumentuan në një apelim javën e kaluar se mbrojtja e fjalës së lirë që buron nga Amandamenti i Parë nuk gjen zbatim tek gazetarët e Zërit të Amerikës sepse ata janë punonjës të qeverisë federale, por zonja Howell nuk ishte dakord me këtë.

Ajo tha se paditësit ka të ngjarë të kenë sukses në ofrimin e dëshmive se zoti Pack dhe ndihmësit e tij "kanë shkelur dhe vazhdojnë të shkelin" të drejtat që gëzojnë sipas Amandamentit të Parë, gazetarët e Zërit të Amerikës "sepse, midis efekteve të tjera antikushtetuese të veprimeve të tyre, ato rezultojnë në vetëcensurë dhe zbehjen e lirisë së shprehjes të bazuar në Amandamentin e Parë”.

Zonja Howell citoi një hetim ndaj korrespodentit të Shtëpisë së Bardhë të Zërit të Amerikës, Steve Herman, duke thënë se ai "imponon një kufizim antikushtetues jo vetëm mbi lirinë e shprehjes për zotin Herman, por edhe për atë të zonjës Chao dhe redaktorëve dhe gazetarëve të tjerë të Zërit të Amerikës dhe rrjeteve të tjera".

Gjykata do të vendosë më vonë për ankesën e plotë kundër USAGM-së.

Lee Crain, avokati i paditësve tha se "gjykata konfirmoi se Amandamendi i Parë ndalon zotin Pack dhe ekipin e tij që të përpiqen të marrin kontrollin e këtyre mediave, të hetojnë gazetarët e tyre lidhur me pretendime për "anshmëri" dhe ndalon përpjekjet për të ndikuar ose kontrolluar përmbajtjen e raportimeve të tyre”.

Në një deklaratë të lëshuar të premten, zoti Crain tha se vendimi siguron që gazetarët e Zërit të Amerikës dhe rrjeteve të tjera të "mund të jenë të sigurt se Amendamenti i Parë i mbron ata nga përpjekjet e qeverisë për të kontrolluar përmbajtjen editoriale dhe gazetareske. Ata janë të lirë të bëjnë saktësisht atë që synonte Kongresi: përhapjen e gazetarisë së pavaur në botë, në stilin e Amendamentit të Parë".

Audienca globale

Zëri i Amerikës dhe rrjetet të tjera të USAGM kanë një shtrirje të gjerë globale dhe kanë parë një rritje të audiencës vitin e kaluar mes pandemisë së koronavirusit dhe fushatës së debatueshme presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara. Në vitin fiskal 2020 (tetor 2019-tetor 2020), lajmet dhe programet e tjera informative nga pesë rrjetet e mbikëqyrura nga USAGM-ja së bashku arritën një audiencë javore në mbarë botën prej 354 milionë vetësh në 62 gjuhë, një rritje prej 4 milionë krahasuar me rekordin e vendosur vitin e kaluar, sipas shifrave të publikuara nga USAGM-ja.

Në një "shënim në formë opinioni" prej 76 faqësh, gjykatësja Howell tha se Zëri i Amerikës dhe rrjetet e tjera eksportojnë "vlerat themelore amerikane të fjalës së lirë, lirisë së shtypit dhe debatit të hapur në cepat e errët të botës, ku nuk mungon mbulimi i pavarur dhe objektiv i ngjarjeve aktuale”.

"Këto rrjete nuk kanë për qëllim të mbështesin në mënyrë jokritike pikëpamjet politike dhe aspiratat e një zyrtari të vetëm amerikan, edhe nëse ai zyrtar është presidenti i Shteteve të Bashkuara", tha gjykatësja Howell.

Michael Pack "pretendohet se ka ndërmarrë një seri hapash që nga konfirmimi i tij më 4 qershor të vitit 2020, që minojnë këtë mision".

Avokatët që përfaqësuan USAGM-në në seancën dëgjimore më 5 nëntor argumentuan se zoti Pack po përdorte kompetencat e zgjeruara që Kongresi i ka dhënë drejtuesit të agjencisë me synimin për të përmirësuar menaxhimin dhe efikasitetin e agjencisë.

Sipas vendimit të gjykatës, rregullorja për murin ndarës "reflekton atë që Kongresi përcaktoi, që ky interes të kishte një rëndësi më të madhe publike sesa interesi i përgjithshëm i qeverisë për efikasitetin". Ai shtoi se gjykata pranoi që rrjetet kanë interes të ruajnë pozicionin e "besueshmërisë më të lartë gazetareske".

Ann Cooper, profesore e praktikës profesionale dhe gazetarisë ndërkombëtare në Shkollën e Gazetarisë të Universitetit të Kolumbias në Nju Jork, tha se roli i Zërit të Amerikës si një rrjet i pavarur është vendimtar për audiencat e saj.

Rregulloret për të mbrojtur pavarësinë editoriale të Zërit të Amerikës janë "jashtëzakonisht të rëndësishme", tha Cooper, e cila si korrespondente veterane e huaj ka punuar dhe udhëtuar në disa nga vendet më shtypëse të botës.

Nëse hiqni atë mbrojtje dhe lejoni një udhëheqje që fillon të diktojë mbulimin, natyrisht që do të humbsni besueshmërinë. Zëri i Amerikës po u shërben vendeve ku njerëzit tashmë shohin se çfarë do të thotë të kesh një zëdhënës qeveritar si media. Kjo nuk është arsyeja pse ata po ndjekin Zërin e Amerikës", tha Ann Cooper.

Çështja e vizave J-1

Urdhri i gjykatës ndaloi ndërhyrjen në vendimet e personelit editorial, me përjashtim të vizave J-1 për gazetarët ndërkombëtarë me aftësi të posaçme.

Në qershor, zoti Pack njoftoi një rishikim "rast pas rasti" të vizave J-1, duke përmendur shqetësimet lidhur me sigurinë kombëtare dhe duke iu referuar gjetjeve të një raporti të Zyrës së Menaxhimit të Personelit që kritikonte gabimet në të kaluarën në kontrollin e së shkuarës së një pjese të stafit të saj.

Që nga qershori, Zëri i Amerikës është në dijeni të vetëm një vendimi për çështjen e vizave J-1. Zyra e zotit Pack muajin e kaluar nënshkroi një dokument që refuzonte kërkesën e një gazetareje të Shërbimit Indonezian të Zërit të Amerikës për rinovimin e vizës dhe sponsorizimin e kartës jeshile.

Vizat e tjera kanë skaduar pa ndonjë vendim që mbështet ose refuzon kërkesën për rinovim.

Gjykatësja tha se vendimi i zotit Pack për rishikimin e aplikimeve për viza J-1 bishte brenda "përgjegjësive vlerësuese dhe shqyrtuese" të USAGM-së dhe citoi argumentin e mbrojtjes se stafi i huaj merret në punë vetëm nëse nuk gjendet një kandidatë i kualifikuar me shtetësi amerikane.

Gazetarët e Zërit të Amerikës kanë thënë më parë se kolegët e tyre me viza J-1 sjellin njohuri dhe aftësi të vlefshme përtej njohurive gjuhësore që ndihmojnë rrjetin të zgjerojë audiencën.

Gazetarët të cilëve u kanë skaduar vizat J-1, i thanë Zërit të Amerikës se veprimi ishte diskriminues dhe ata dyshojnë se ato nuk janë rishikuar.

Njëri prej tyre, Serdar Cebe, i cili drejtonte dy emisione, përfshirë emisionin kryesore të shërbimit turk, "Studio VOA", niset për në Stamboll të dielën pas skadimit të vizës.

Zoti Cebe ishte i vetëdijshëm se edhe kolegë të tjerë të Zërit të Amerikës nuk kanë më viza J-1. Ai tha se shqetësimi nisi në fund të gushtit, kur shefi i tij i sugjeroi gazetarit të përgatitej për lajme të këqija.

U trondita pasi nuk e prisja këtë gjë. Mendoja se Shtetet e Bashkuara ishin kampione e botës për lirinë e shtypit dhe se kurrë nuk do ta gjeja veten në një situatë ku një gazetar mund të dëbohej nga Zëri i Amerikës për shkak të një çështje vize”, tha zoti Cebe në një shkëmbim emaili.

Grace Oyenubi, gazetare nigeriane e cila ka punuar për Shërbimin Hausa të Zërit të Amerikës, thotë se mosrinovimi i vizave dukej një çështje e njëanshme.

"Mendoj se është diskriminim, vendim diskriminues", tha ajo, duke shtuar se ajo kaloi kontrolle "të forta" sigurie para se të punësohej nga Zëri i Amerikës.

Humbja e vizës ka pasoja për familjen e zonjës Oyenubi. Burri i saj, viza e të cilit është e lidhur me atë të zonjës Oyenubi, u detyrua të linte punën dhe ata mund të detyrohen të heqin djalin e tyre 7-vjeçar nga shkolla dhe ta zhvendosin në vendin e tyre të origjinës.

Senatori Jeff Merkley, një demokrat nga Oregoni, propozoi në shtator një projektligj për një zgjatje të përkohshme të vizave J-1 të gazetarëve të ndikuar nga vonesat në rinovimin e tyre.

Një zëdhënës i zoti Merkley i tha Zërit të Amerikës se senatori "po vazhdon të nxisë kolegët e tij republikanë që të mbështesin gazetarinë e lirë, të ndershme e të pavarur tek USAGM-ja".

Zëdhënësi shtoi se "senatori Merkley shpreson që janari të shënojë fillimin e një kapitulli të ri për USAGM-në, për gazetarët e trajtuar në mënyrë të padrejtë nga USAGM-ja dhe për lirinë e shtypit në të gjithë botën. Ai do të vazhdojë të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur këto përpjekje nga Senati”, tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG