Lidhje

GSA do të informojë Kongresin për çështjen e tranzicionit


Një agjenci kryesore federale amerikane që duhet të nënshkruajë lejen për tranzicionin presidencial tha të hënën se ende nuk i ka miratuar aktivitetet e dorëzimit të stafetës tek Presidenti i zgjedhur Joe Biden, por do të informojë Kongresin javën e ardhshme.

Një zëdhënëse e Administratës së Shërbimeve Qeveritare (GSA) tha se Zëvendës Administratorja Allison Brigati do të flasë më 30 nëntor me krerët demokratë të katër komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve si dhe me republikanët kryesorë në këto komisione. Njoftimi vjen pas një kërkese të demokratëve ndaj kësaj agjencie.

Agjencia do të mbajë gjithashtu një konferencë për stafin e Kongresit në tre komisione të Senatit, tha zëdhënësja.

Ditët e fundit është rritur presioni mbi këtë agjenci federale të shërbimeve qeveritare, e cila është pak e njohur nga publiku, por e rëndësishme për t’i hapur rrugën kalimit të pushtetit nga njëra administratë në tjetrën pas rezultateve të zgjedhjeve. Transferimi nga administrata Trump tek ekipi i zotit Biden shihet si një proces me rëndësi kritike për sigurinë kombëtare, përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19 dhe aspekte të tjera kryesore.

Administratorja e agjencisë GSA Emily Murphy deri tani nuk e ka konfirmuar apo miratuar zyrtarisht, tranzicionin.

Zoti Biden pritet të marrë detyrën në 20 janar pasi në zgjedhjet e 3 nëntorit mori vota të mjaftueshme për të siguruar Kolegjin Zgjedhor. Por Presidenti Donald Trump vazhdon të pretendojë fitoren dhe prej javësh ka hedhur pretendime të pabazuara për mashtrim në shkallë të gjerë me votat, edhe pse aludimet e tij kanë dështuar në mënyrë të përsëritur në gjykata.

Ditët e fundit, republikanët e zotit Trump po distancohen gradualisht nga presidenti dhe po kërkojnë fillimin e procesit të tranzicionit.

Kryetari i Komisionit të Dhomës për Taksat, demokrati Richard Neal, tha të hënën se refuzimi i zonjës Murphy për ta bërë këtë po rrezikon jetën e amerikanëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG