Lidhje

Hungaria dhe Polonia, qëndrim sfidues në përplasjen me BE-në


Bashkimi Evropian është mësuar me betejat e zgjatura, por një konfrontim rreth buxhetit shumëvjeçar të bllokut dhe kushteve që lidhen me akordimin e një fondi të rimëkëmbjes së koronavirusit duket se do të vazhdojë për pjesën më të madhe të mbetur të këtij viti, duke thelluar përçarjen midis pjesës perëndimore dhe asaj lindore të kontinentit.

Hungaria dhe Polonia, me mbështetjen e Sllovenisë, qëndrojnë të palëkundura në refuzimin e tyre për të miratuar buxhetin e bllokut prej 2.1 trilionë dollarësh mbetet në fuqi legjislacioni që vendet të marrin para nga një fond i veçantë 750 milion dollarësh për rimëkëmbjen nga koronavirusi.

Brukseli dhe evropiano-perëndimorët duken po aq të vendosur për të përdorur fondet për masat ndaj koronavirusit si mënyrë për të detyruar respektimin e standardeve që ata thonë se janë të nevojshme për të frenuar rënien e demokracisë në Hungari dhe Poloni.

Pas disa ditësh negociatash intensive, Budapesti dhe Varshava nuk po tregojnë shenja se po tërhiqen apo se po heqin dorë nga reforma të diskutueshme që sipas Brukselit kërcënojnë të kufizojnë pavarësinë e gjyqësorit të tyre.

Udhëheqësi populist nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, dhe Partia për Ligj dhe Drejtësi (PiS) në pushtet e Polonisë akuzohen të dy nga homologët e tyre liberalë perëndimorë, grupet e të drejtave të njeriut dhe kundërshtarët brenda vendit për tërheqjen nga parimet themelore të shtetit ligjor që janë shtyllat e BE-së. Zoti Orban është akuzuar për përpjekje për të minuar jo vetëm pavarësinë e gjyqtarëve por për dobësimin e shoqërisë civile dhe për masat kundër shtypit.

Të dyja vendet janë hetuar zyrtarisht nga Komisioni Evropian për shkelje të vlerave të BE-së. Por blloku u tërhoq nga alternativa e ashtuquajtur bërthamore e përpjekjes për të pezulluar të drejtat e tyre të votës, e cila vështirë se do të kishte marrë mbështetjen e nevojshme unanime të 25 vendeve të tjera anëtare.

Krijimi i një mekanizmi për të kushtëzuar paratë nga fondi i rimëkëmbjes si përgjigje ndaj rënies demokratike, u konsiderua si një mënyrë për të frenuar këtë rënie në Hungari dhe Poloni. Por tani, Brukseli e gjen veten në një ngërç, në kushtet kur Budapesti dhe Varshava po hakmerren duke refuzuar të miratojnë buxhetin e përgjithshëm shumëvjeçar të bllokut, i cili kërkon miratimin njëzëri nga të gjitha vendet anëtare.

Pas një videokonference javën e kaluar të udhëheqësve kombëtarë të BE-së, Kancelarja gjermane Angela Merkel u përpoq të shmangte një konflikt publik dhe tha se mosmarrëveshja është "një problem serioz që ne duhet të zgjidhim dhe do të punojmë intensivisht në këtë drejtim”.

Një ditë më herët në Varshavë, Kryeministri polak Mateusz Morawiecki mbajti një fjalim që shumë analistë bien dakord se ishte më euroskeptiku ndonjëherë nga një politikan polak.

Kryeministri Morawiecki tha ndërsa ai nuk donte largimin e vendit të tij nga BE, ai e paraqiti Bashkimin Evropian si një bllok që diskriminon vendet anëtare lindore si Hungaria dhe Polonia.

Cila palë do të tërhiqet e para?

"Të dyja palët po pozicionohen për një konflikt të zgjatur," i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i lartë i BE-së, duke thënë se Brukseli kishte shpresuar që Budapesti dhe Varshava do të tërhiqeshin pas rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ku fituesi i parashikuar Joe Biden dhe ekipi i tij i politikës së jashtme nuk e kanë fshehur në të kaluarën pakënaqësinë e tyre ndaj nacionalistëve populistë të Evropës. Administrata e ish-presidentit Obama, në të cilën zoti Biden ishte nënpresident, kryesisht e kishte lënë mënjanë zotin Orban.

Retorika që nga videokonferenca e së enjtes nuk është zbutur. Zyrtarët nga Polonia dhe Hungaria kanë këmbëngulu në qëndrimin e ashpër kundër mekanizmit që do t’u ndërpriste fondet e BE-së vendeve që konsiderohet se kanë shkelur standardet e shtetit ligjor të bllokut. Ata mbeten me shpresë që mekanizmi i sundimit të ligjit përfundimisht do të bjerë ose ndryshohet.

Zoti Orban ka thënë se ai beson se ngërçi do të zgjidhet.

"Bisedimet duhet të vazhdojnë dhe në fund, ne do të arrijmë një marrëveshje. Kështu ndodh zakonisht," tha ai për radion shtetërore hungareze.

Por disa analistë dhe diplomatë thonë se ende duket se disa në Bruksel parashikojnë se si Polonia ashtu edhe Hungaria do të tërhiqen, duke shpresuar që presioni i brendshëm ndaj zotit Orban dhe partisë PiS do të rritet.

Në një sondazh të Parlamentit Evropian, 44% e hungarezëve të anketuar thanë se kishin përjetuar humbje të të ardhurave që nga fillimi i krizës, përqindja më e lartë nga çdo vend tjetër i BE-së. Si Hungaria ashtu edhe Polonia kanë nevojë për fonde ndihme.

István Szent-Iványi, një ligjvënës evropian liberal dhe ish-diplomat polak, tha se në fund të fundit, nuk mund të jetë në interes të qeverive hungareze dhe polake të zemërojnë vendet e Evropës Jugore të tilla si Italia, e cila ka shumë nevojë për fondet e rimëkëmbjes së BE-së dhe ka qenë aleate me evropiano-qendrorët për çështjet e migracionit.

Të tjerët thonë se ky ngërç aktual sinjalizon drejtimin që do të kenë marrëdhëniet mes gjysmës lindore të bllokut me prirje nacionaliste dhe një gjysmës perëndimore më liberale që dëshiron integrim më të madh evropian. Një zgjdhje këtë radhë vetëm do të vononte një përballje në të ardhmen, argumentojnë ata.

Në një opinion për meidan hungareze të lajmeve Indeksi, Tibor Navracsics, një ish-komisioner evropian dhe ish-ministër i drejtësisë në qeverinë Orban, tha se mosmarrëveshja ka arritur në një pikë "ku nuk ka një emërues të përbashkët për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Nëse Hungaria dhe Polonia vënë veton ndaj buxhetit të përbashkët, ata do ta shtyjnë BE-në në një krizë fiskale të pashembullt".

Ai shton se "konflikti i tanishëm nuk ka të bëjë më me fonde, por me çështjet e identitetit dhe sovranitetit kombëtar."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG