Lidhje

Kosova me 132 raste të virusit HIV/AIDS


Kosovë, dy raste të reja me virusin e SIDA-s në vitin 2020
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:37 0:00

Në Kosovë aktualisht numërohen 132 perona të prekur me virusin HIV/AIDS, ndërsa rasti i parë është regjistruar 34 vjet më parë. Gjatë vitit 2020 janë regjistruar dy raste të reja. Gjykuar nga shifrat Kosova është në radhën e vendeve me shkallë shumë të ultë të të infektuarve, por specialistët thonë se pavarësisht numrit, ajo radhitet në mesin e vendeve me shkallë të lartë të rrezikshmërisë.

Dita ndërkombëtare e luftës kundër HIV/AIDS e gjen Kosovën me vetëm dy raste të reja të personave të prekur me këtë virus përgjatë vitit 2020. Numri flet për rënie të rasteve krahasuar me vitin e kaluar gjatë të cilit ishin regjistruar 6 raste, dy prej të cilëve kishin humbur edhe jetën.

Por, drejtori i repartit për personat e prekur me HIV/AIDS, brenda Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Murat Mehmeti, i tha Zërit të Amerikës së ky numër nuk pasqyron plotësisht gjendjen reale, meqë shumë pak testime janë kryer këtë vit për shkak të pandemisë së COVID-19.

“Jo rrallë pacientët që ndodhë të vijnë në klinikë ose në klinika të tjera, nëse vijnë në situatë kur imuniteti i tyre tashmë është dobësuar shumë për shkak të HIV infeksionit, te mjekët ngjallë dyshimin që mund të bëhet fjalë për HIV. Kjo është arsyeja që megjithatë nuk ishte dashur të jetë një numër i madh, por sigurisht jo ky numër pra vetëm dy raste me HIV, duhet të jetë numër më i madh por jo edhe shumë i madh të themi ashtu”, thotë ai.

Tash për tash 40 persona trajtohen nga kjo klinikë, thotë zoti Mehmeti, ndërsa bën thirrje për numër më të lartë testimesh për HIV/AIDS duke nënvizuar se zbulimi i hershëm është shpëtim nga kjo sëmundje.

“Të gjithë ata të cilët e kanë dyshimin më të vogël që kanë mundur të vijnë në kontakt me këtë virus, normalisht do të ishte dashur të testohen, sepse si çdo sëmundje tjetër nëse zbulohet herët atëherë edhe trajtimi do të jetë shumë më i suksesshëm. Në rast se zbulohet vonë, sikur që kemi raste kur imuniteti i tyre dobësohet jashtë mase, atëherë kuptohet që edhe mundësia e trajtimit të tyre është shumë më e vogël”, thotë zoti Mehmeti.

Alban Gjonbalaj, drejtues i shoqatës së personave të prekur me HIV/AIDS në Kosovë, thotë se stigma që ka ndjekur nëpër vite të prekurit nga ky virus e ka bërë më të vështirë integrimin e tyre.

“Ata që punojnë janë të inkuadruar jashtëzakonisht mirë, nuk kanë ndonjë problem shëndetësor, jetojnë mirë e marrin terapinë me rregull. Pjesa tjetër janë pastaj që kanë probleme ekonomiko sociale, probleme financiare, pastaj janë edhe disa probleme që e rëndojnë shëndetin, por me terapi janë relativisht mirë”, thotë ai.

Megjithatë, stigma thotë ai është dobësuar në kohën e pandemisë së COVID-19 e cika ka dobësuar njëkohësisht edhe shërbimet shëndetësore për të prekurit nga Sida.

“Pandemia mund të them se e ka larguar stigmën nga HIV-i dhe ajo është përqendruar në COVID, mirëpo në anën tjetër janë përqendruar të gjithë në COVID dhe pjesa tjetër e popullatës së përgjithshme qoftë me HIV apo sëmundje të tjera ka mbetur pak anash, në njëfarë forme ka edhe një stigmë në këtë anën tjetër”, thotë ai.

Në Kosovë rasti i parë me Hiv/Aids është paraqitur në vitin 1986 dhe që nga atëherë e deri tash janë gjithsej 132 raste me HIV, prej të cilëve 51 kanë humbur jetën. Me kaq raste të të infektuarve në 34 vjet, Kosova radhitet në mesin e vendeve me shkallën më të ultë të SIDA-s, por zhvillimet socio ekonomike e vënë atë në grupin e vendeve me faktorë të lartë të rrezikut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG