Lidhje

Lezhë, vritet një polic i forcave të ndërhyrjes së shpejtë


Një punonjës i Forcave Policore të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër u qëllua për vdekje me armë zjarri mëngjesin e të shtunës, në rrethana ende të panjohura.

27 vjeçari Xhuljano Prela po udhëtonte me mjetin e tij volkswagen nga Rinasi në drejtim të Shkodrës, kur persona ende të paidentifikuar i kanë dalë përpara në vendin e quajtur Gajush, në afërsi të qyteti të Lezhës, duke e qëlluar me armë zjarri.

Në vendngjarje policia ka gjetur tre gëzhoja, që dyshohen të jenë të një arme pistoletë, si dhe një telefon celular.

Sipas një njoftimi paraprak të policisë vendore të Lezhës, “rreth orës 02:20 të ditës së sotme, në sallën operative ka arritur një telefonatë që njoftonte se në aksin rrugor Milot-Lezhë, në Gajush, një automjet ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Policia, që shkoi në vendin e ngjarjes, konstatoi se kishte humbur jetën punonjësi i policisë së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhuljano Prela”.

Burime nga vend i ngjarjes bënë të ditur se në trupin e policit të vrarë ka shënja të një të shtëne me armë zjarri.

Në lidhje me vrasjen, babai i policit, Martin Prela, thotë se familja e tij nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe hedh dyshime se vrasja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës.

“Ndoshta konfliktet janë të punës. Më ka thënë se para 2 vitesh ka pasur një përplasje me dikë në Lezhë, sepse djali ka zbatuar ligjin. Nga kjo kërkoi transferim në Shkodër. Mbase është ky konflikt, nuk e di” - tha ai.

Policia nuk jep detaje të tjera rreth ngjarjes dhe as autorëve të dyshuar, por bën të ditur se forcat RENEA së bashku me ato të FNSH po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar, ose që kanë dijeni për ngjarjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG