Lidhje

Shqipëri, përkujtohet 30-vjetori i Lëvizjes studentore


Në Shqipëri, sot u përkujtua 30 vjetori i Lëvizjes studentore e cila, në fund të vitit 1990, hapi rrugën për rrëzimin e rregjimit komunist. Autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të vendit, vlerësuan aktin e rinisë së vendit në atë kohë. Për përfaqësuesit e opozitës, rinia do të jetë sërish ajo që sipas saj do të sjellë ndryshimin e madh

Shqipëri, përkujtohet 30-vjetori i Lëvizjes studentore
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Lëvizja e studentëve shqiptarë në dhjetorin e 30 viteve më parë ishte goditja më e fortë që iu dha rregjimit komunist, i cili për më shumë se 40 vjet mbajti të mbërthyer Shqipërinë. Ajo shënoi dhe pikën e kthesës drejt rrëzimit të diktaturës.

Në një postim në Facebook, presidenti Ilir Meta shkruajti se "të rinjtë e 30 viteve më parë frymëzuan një popull të tërë për kryengritje paqësore, duke theksuar megjithatë se në tre dekada nuk është bërë aq sa duhet për të qenë aty ku e meritonin sakrificat e tyre".

Me një referencë të qartë kritike ndaj shumicës që drejton vendin, Presidenti Meta shkruajti se "është koha për një fillim të ri, për të rivendosur demokracinë dhe llogaridhënien".

Për kryeministrin Edi Rama "30 vjet nuk janë aq shumë në rrugën e historisë së një vendi e sidomos kur kjo është koha e kalimit nga një diktaturë ekstreme, në një demokraci funksionale". Ndërsa në postimin e tij në Facebook, thekson se bëhet fjalë për “vite të jashtëzakonshme në jetën e shoqërisë”, ai shton po ashtu se për të personalisht është “një privilegj i jashtëzakonshëm të qenurit pjesë aktive e përpjekjeve përgjatë kësaj rruge, së bashku me nderin e madh të udhëheqjes së vendit në 7 vitet e fundit”.

Por ndryshe nga kryeministri, për kryetarin e opozitës Lulzim Basha, vitet e qeverisjes socialiste kanë shënuar një kthim pas për vendin. “U bënë 8 vite që Shqipëria ka dal nga shinat, madje ka bërë kthim mbrapa. Kostoja e jetës sa vjen e rritet, papunësia shtohet e në veçanti për rininë. Varfëria po kështu. Si pasojë e keqqeverisjes shumë shqiptarë kanë humbur vendet e punës, kanë humbur shpresën, kanë humbur kushtet bazë të jetesës, kanë humbur besimin tek ndryshimi”, deklaroi zoti Basha në një bashkëbisedim virtual me të rinj demokratë, duke shprehur besimin se “rinia shqiptare do të marrë në dorë fatet e vendit dhe do të kthejë shpresën dhe besimin për çdo shqiptar e do të bëjë realitet ëndrrën e 30 viteve më parë për Shqipërinë si gjithë Europa”.

Më herët kryetari demokrat bëri homazhe pranë memorialit të Azem Hajdarit, i cili dhjetorin e vitit 90 u vu në krye të lëvizjes studentore.

Ashtu si dhe zoti Basha, edhe kryetarja e Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi këmbënguli te nevoja që brezi i ri”ta ndihmojë Shqipërinë të distancohet nga dështimet dhe që misioni kombëtar 'Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa', i cili ka 30 vjet që kumbon si thirrje, të mos përplaset më në murin e një politike që nuk dëgjon, por vetë ata të ndërtojnë Shqipërinë shtëpi të tyre”, shkruajti zonja Kryemadhi në një status në Facebook.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG