Lidhje

Kompania ajrore Iberia transformon avionin e udhëtarëve në avion mallrash


Pandemia COVID-19 po vazhdon dëmtimin e ekonomive në mbarë botën. Njëra nga industritë më të prekura është ajo e aviacionit. Por një kompani ajrore në Spanjë po mundohet që duke transformuar avionët e saj të vazhdojë aktivitetin në këtë periudhë krize.

Kompania ajrore Iberia në Spanjë, konvertoi avionin e tretë të saj të udhëtarëve në një avion që shërben për ransportimin e mallrave, në përpjekje për të përballuar krizën pas rënies së fluturimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Transformimi vjen si një përpjekje që kompania Iberia të përshtatet me rrethanat aktuale në treg”, shpjegon drejtori i mirëmbajtjes së avionëve Oscar Perez.

Në muajt e parë të përhapjes së pandemisë, aktiviteti i kompanisë ishte i kufizuar, pasi ata kryenin fluturime vetëm për riatdhesim dhe për transportimin e pajisjeve mjekësore emergjente.

Kjo shkaktoi një rënie prej 80 deri 90 për qind të fluturimeve.

Industria ajrore po përjeton krizën më të rëndë ndonjëherë. Nuk kemi parë ndonjëherë një krizë si kjo”, thotë zoti Perez.

Punëtorët kanë hequr 70 ndjenjëset e avionit të tipit Airbuss 330 dhe në vend të tyre kanë vendosur rrjeta për sigurimin e mallrave. Avioni mund të transportojë deri në 18 tonë mallra.

Fluturimi i parë i këtij avioni të transofrmuar do të jetë për në Karakas të Venezuelës. Rrugë të tjera përfshijnë Los Anxhelosin, Izraelin dhe Kinën.

Sidoqoftë, kompania e sheh transformimin e avionëve si diçka të përkohshme, duke shpresuar në një rimëkëmbje të shpejtë të industrisë.

"Sapo të shtohet kërkesa e udhëtarëve për fluturime, ne presim rikthimin në gjendje normale të industrisë dhe rikthimin e avionëve në gjendjen origjinale, pra kthimin e ulëseve”, thotë zoti Perez.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG