Të martën, Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi, në një dokument ku njoftonte për masat e reja kundër COVID-19 i referohej Republikës së Kosovës me një shënim në fund të faqes (fusnotë), pavarësisht se Podgorica zyrtare e ka njohur që në vitin 2008 pavarësinë e Kosovës.
Dokument shkaktoi reagime të shumta në mediat e Malit të Zi, të cilët kritikuan këtë veprim të ministres së re Jelena Boroviq-Bojoviq që “nuk e njeh pavarësinë e Kosovës duke rënë në kundërshtim me politikën zyrtare të vendit.”
Mediat malazeze theksuan se “gjatë qeverisjes se Milo Gjukanoviq në asnjë dokument zyrtar nuk i është referuar Kosovës me shënime në fund të faqes së një dokumenti”.
Pas këtyre njoftimeve në media reagoi menjëherë Ministria e Shëndetësisë së Malit të Zi duke theksuar se bëhej fjalë për një gabim teknik.
“Gjatë përgatitjes së tabelës për masat e reja kundër COVID-19 ndodhi një gabim teknik, gjatë të cilit Kosova u shënua me një njoftim në fund të faqes”, thuhet në deklaratë.
Zyrtarët sqaruan se menjëherë shërbimet e ministrisë e korrigjuan gabimin teknik, i cili sipas tyre mund të shihet në faqen në internet të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në Gazetën Zyrtare të Malit të Zi.
Qeveria e re e Malit të Zi u votua të premten në parlamentin e vendit. Tre koalicionet opozitare, që fituan zgjedhjet e 30 gushtit u zotuan se qëndrimi i Podgoricës zyrtare karshi Kosovës nuk do të ndryshojë.
Facebook Forum