Lidhje

Tiranë: Prokuroria Speciale rihap hetimet për dy vrasje të vjetra dhe akuzon 6 emra të njohur


Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuarbëri sot të ditur se ka kryer hetime për dy ngjarje të para 15 vjetëve, autorët e të cilave nuk ishin zbuluar.

Ne fund të shkurtit 2005 u vra me armë zjarri në një attentat Kleidi (Klodian) Saliu dhe u plagos O.Truma pranë Maminasit në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa në një shpërthim me lëndë plasëse pranë banesës humbën jetën V.Lamaj dhe A. Arsi.

SPAK njoftoi se hetimet për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve, por ka rifilluar hetimet dhe i ka bashkuar ato në një, pasi gjeti prova mbi autorët e dyshuar të këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale.

Prokuroria j kërkoi Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar arrest me burgim për 6 të dyshuarit: Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, I. Taulla dhe L. Reci, Emiljano Shullazi dhe V. Ymeri (Imeraj).

Për 4 të parët 4 akuzat janë për vrasje me paramendim të Kleidi Saliut, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit, mbajtje pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda, grup i strukturuar kriminal si dhe vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal në dëm të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi.

Ndërsa për dy të fundit, Shullazi dhe Ymeri, akuzat janë vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar criminal të shtetasve V. Lamaj dhe A. Arsi.

Policia e Shqipërisë mori në arrest në burg të pandehurin V. Ymeri, E. Shullazi është aktualisht i paraburgosur për një vepër tjetër penale, ndërsa policia e Kosovës kapi në Prizren të pandehurin I. Taulla, i cili do të ekstradohet. Shtetasit L. Berisha dhe P. Dervishaj janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim komentoi se “SPAK ka marrë përsipër një rast tjetër të madh të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky nuk është hetimi i parë nga SPAK, dhe nuk do të jetë i fundit. Shpresojmë që SPAK do të vazhdojë të demonstrojë forcën, integritetin dhe aftësinë e tij përmes veprimeve të tilla”.

SPAK u angazhua se është përparësi e punës së vet zbulimi i krimeve të vjetra dhe përballja me ligjin e autorëve të tyre dhe ftoi të bashkëpunojnë në hetim qytetarët që kanë dijeni për këto dy krime të 15 vjetëve më parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG