Lidhje

Trump: Do të përdorë Ligjin e Prodhimit për Mbrojtjen nëse nevojitet për shpërndarjen e vaksinës


Presidenti Donald Trump tha të martën se ai do të përdorë Ligjin e Prodhimit për Mbrojtjen nëse është e nevojshme për të siguruar që amerikanët janë të parët për të marrë vaksinat e prodhuara në vend, megjithëse shtoi se ai mendonte se kjo nuk do të ishte e nevojshme.

Presidenti foli në fillim të një takimi të lartë në Shtëpinë e Bardhë mbi zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinës pak para se të nënshkruante një urdhër ekzekutiv që synon t’u jap përparësi amerikanëve për vaksinat kundër COVID-19 të financuara nga qeveria amerikane, para se të ndihmojë vendet e tjera.

Urdhri ekzekutiv nuk duket se ka një mekanizëm të qartë zbatimi, ndaj sugjerimi nga zoti Trump për përdorimin e Ligjit të Prodhimit për Mbrojtjen ishte i rëndësishëm. Akti, i miratuar në vitin 1950, i jep presidentit kompetenca për të zgjeruar prodhimin industrial të materialeve ose produkteve kryesore për sigurinë kombëtare dhe arsye të tjera.

“Nëse është e nevojshme ...ne do të përdorim Ligjin e Prodhimit për Mbrojtjen, por ne nuk mendojmë se do të jetë e nevojshme. Nëse duhet, është një ligj i fuqishëm, sikurse e dini, sepse ne e përdorëm atë me shumë sukses,” tha Presidenti Trump.

Urdhëri ekzekutiv dhe vetë takimi i lartë për zhvillimin e shpejtë të vaksinës duket se ishin planifikuar pjesërisht për të vlerësuar republikanin Trump, i cili humbi zgjedhjet përballë kandidatit demokrat Joe Biden, por ka refuzuar të pranojë humbjen.

Në fillim të takimit u shfaq një video që tregonte njerëz, përfshi ekspertin e sëmundjeve infektive Dr. Anthony Fauci, duke shprehur dyshime mbi gjasat e disponimit të një vaksine para fundit të vitit.

Presidenti Trump ka patur marrëdhënie të komplikuara me zotin Fauci, i cili ka drejtuar Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive që nga viti 1984. Zoti Biden e ka caktuar atë si këshilltar të lartë mjekësor në administratën e tij të ardhshme.

Shtëpia e Bardhë nuk ftoi pjestarë të ekipit tranzitor të zotit Biden në takimin për vaksinën. Administrata e zotit Biden do të mbikëqyrë shpërndarjen e vaksinave sapo ai të marrë detyrën me 20 janar.

Zoti Trump, i cili ka ngritur akuza për mashtrim të gjerë zgjedhor, pa dhënë prova, përsëriti pretendimet e tij kur u pyet se pse zyrtarët e zotit Biden nuk ishin përfshirë në takim.

“Duhet të presim të shohim se kush do të jetë administrata e ardhshme, sepse ne fituam në këto shtete fushë-betejë dhe atje ndodhën gjëra të tmerrshme. Por ciladoqoftë administrata e ardhshme, ajo do të përfitojë nga ato që kemi qënë në gjendje të bëjmë,” tha Presidenti Trump. “Shpresojmë që administrata e ardhshme do të jetë administrata Trump.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG