Lidhje

Kosovë, dita ndërkombëtare kundër korrupsionit – nën hijen e pandemisë


Kosovë dita ndërkombëtare kundër korrupsionit – nën hijen e pandemisë COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:06 0:00

Kosovë dita ndërkombëtare kundër korrupsionit – nën hijen e pandemisë COVID-19

Në Kosovë, zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit thonë se kjo dukuri është përkeqësuar gjatë këtij viti, ndërsa janë ngritur dhjetëra kallëzime penale ndaj zyrtarëve të dyshuar për përfshirje në korrupsion. Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit këtë vit nuk pati ndonjë veprimtari ndërgjegjësuese për shkak të pandemisë e cila sipas organizatave të shoqërisë civile ka ndikuar edhe në gjykimin e rasteve të korrupsionit.

Autoritetet në Kosovë konfirmuan sot 11 viktima dhe 561 raste të reja të të prekurve nga COVID-19. Situata e rënduar mujave të fundit me pandeminë ka çuar në kufizime për të penguar përhapjen e infektimeve përfshirë edhe shmangien e grumbullimeve në një vend.

Për shkak të situatës me pandeminë sot nuk pati asnjë veprimtari në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, dukuri që nuk ka pushuar, madje sipas vëzhguesve duket të jetë përkeqësuar.

Udhëheqësi i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli thotë për Zërin e Amerikës se kjo ditë nuk e gjen mirë Kosovën sa i përket korrupsionit.

“Ne edhe e shohim që nuk ka një progres të mjaftueshëm sa i përket luftimit të korrupsionit. Nëse flasim edhe për këtë vit edhe për shkak të gjendjes me pandemi prapë është thelluar hendeku në raport me luftimin e korruspionit për arsye sepse institucionet që janë të thirrura për të luftuar korrupsionin edhe ato kanë qenë të kyqur në çështje të luftimit të pandemisë dhe këto prapë është krijuar një hendekë në raport me çështjen e luftimit të korrupsionit. Por megjithatë Kosova nuk qëndron mirë në raport me luftimin e korrupsionit”, thotë ai.

Zoti Havolli thotë se agjencia e tij megjithatë ka dorëzuar një numër të lartë të kallëzimeve penale kundër korrupsionit.

“Kemi punuar në disa raste të profilit të lartë, kemi dërguar në prokurori përkatëse mbi 65 kallëzime penale dhe po ashtu që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konfliktin e interesit dhe deklarim i rremë i pasurisë. Këto raste janë në prokurori përkatëse dhe janë duke u trajtuar nga ana e prokurorisë”, thotë ai.

Në Institutin e Drejtësisë së Kosovës thonë se sistemi gjyqësor është shumë i brishtë dhe lehtë i ndikueshëm nga faktori politik ndërsa sipas Ylli Zekaj nga ky institut, politika nuk ka vullnet për të krijuar hapësirë për të luftuar korrupsionin.

“Për shkak se atëherë ju kërcënohet pozicioni i tyre. Kemi shumë nga klasa politike e cila tash është në pushtet por edhe nga ata që kanë qenë më herët, kemi parë raste të shumta ta aferave korruptive e që në fund kjo ka ndikuar që të mos krijohet një klimë apo një kulturë e luftimit të korrupsionit në Kosovë”, thotë ai.

Arben Kelmendi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se gjatë këtij viti nuk pritet të raportohet ndonjë përmirësim në luftën kundër korrupsionit.

“Viti 2020 definitivisht do të mbahet mend si viti i pandemisë COVID-19 i cili ka dëshmuar që ka qenë shumë i volitshëm fatkeqësisht për keqbërësit dhe të gjithë ata që kanë keqpërdorur pozitat zyrtare për vite të tëra. Të gjitha raportet ndërkombëtare dhe ato vendore flasin për një përkeqësim të situatës në fushën e luftimit të korrupsionit”, tha ai.

Zoti Kelmendi thotë se organizata e tyre gjatë këtij viti ka parë parregullsi në proceduara të shpejta në sektorin e shëndetësisë për shkak të situatës me pandeminë e cila ka ndikuar edhe në gjykimin e rasteve që lidhen me korrupsionin.

“Është punuar me dinamikë më të ulët dhe kjo ka sjellur pastaj stërzgjatje të procedurave edhe ashtu të stërzgjatura gjyqësore në gjyqësorin e Kosovës. Shumë raste fatkeqësisht mund të rrezikohen edhe të parashkruhen për shkak të punës me kapacitete të kufizuara të gjyqësorit në Kosovë”, tha zoti Kelmendi.

“Në Kosovë është instaluar një frymë ose kulturë e pa ndëshkueshmërisë që kjo e reflekton te rastet e korrupsionit dhe si rezultat i kësaj sot ne ballafaqohemi me situatën kur nuk kemi asnjë person i profilit të lartë që bën burg efektivë duke e përjashtuar nga kjo ish deputetin e fundit zotin Etem Arifi i cili pak a shumë për shkak të pafuqisë së tij politike sot ndodhet në burg, përndryshe nuk e kemi asnjë rast të vetëm të profilit të lartë qoftë të ministrave, zëvendësministrave apo deputetëve të cilët për raste të korrupsionit ka përfunduar me burgim efektiv”, thotë Ylli Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Hulumtimet e ndryshme vazhdojnë të nxjerrin Kosovën si një nga vendet më të prekura nga shkalla e korrupsionit, ndërsa luftimi i tij është vënë kusht për Kosovën nga zyrtarët e lartë evropian, të cilët thonë se pa rezultate në këtë fushë, Kosova nuk mund të ecën përpara drejt rrugës së saj evropiane dhe heqjen e vizave për qytetarët e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG