Lidhje

Vëzhguesit: Vizita e Erdoganit në Azerbajxhan mund të nxisë rivalitetin rus


Një vizitë dy-ditore nga Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në Azerbajxhan shënon një tjetër përpjekje të tij për të zgjeruar influencën turke në Kaukaz dhe analistët paralajmërojnë se ambicjet e tij mund të nxisin rivalitet me Rusinë.

Sipas planifikimeve, zoti Erdogan do të marrë pjesë në paradën e fitores që mbahet të enjten në Baku, e cila feston mundjen e forcave armene në enklavën Nagorno-Karabakh, për të cilën kanë pretendime të dy vendet.

Kjo fitore vetëm do të forcojë besimin tonë në formulën dy vende, një popull,” tha për gazetarët zoti Erdogan të mërkurën para se të nisej për në Baku. Mbështetja ushtarake turke për Baku-në shihet gjerësisht si çelës i fitores së Azerbajxhanit.

Në bisedimet e planifikuara me Presidentin Ilham Aliyev të Azerbajxhanit, zoti Erdogan pritet të diskutojë rolin ushtarak të Turqisë në operacionin paqeruajtës të ndërmjetësuar nga Moska pë t’i dhënë fund konfliktit në Nagorno-Karabakh.

“Për vetë Turqinë, një prani ushtarake në çdo pjesë të Azerbajxhanit do të bëhej një element i rëndësishëm në peisazhin e sigurisë për Ankaranë,” tha Zaur Gasimov, specialist i çështjeve ruse dhe Kaukazit në Universitetin e Bonit.

“Për azerët, prania turke përbën një aset të madh moral. Turqia shihet si një garanci bindëse për integritetin territorial të Azerbajxhanit,” tha zoti Gazimov. Por aspiratat e Ankarasë për të zgjeruar influencën në Kaukaz përballen me rezistencë.

Armenët e kundërshtojnë prezencën ushtarake turke ndërsa Moska ngurron ta pranojë atë gjithashtu. E njëjta gjë vlern edhe për Teheranit,” tha Gasimov.

Zyrtarët ushtarakë turq dhe rusë ranë dakord muajin e shkuar për një Qendër të përbashkët Ruso-Turke për kontrollin e armëpushimit. Por mbetet e pazgjidhur çështja e numrit të forcave dhe vendi. Zoti Erdogan po ashtu pritet të diskutojë që Turqia të bëhet bashkë-kryetare me Rusinë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara në grupin e Minskut të OSBE-së, organ ndërkombëtar i krijuar për të zgjidhur konfliktin në Nagorno-Karabakh.

Po kërkojmë të marrim një rol udhëheqës në grupin e Minskut,” tha këshilltari presidencial turk Mesut Casin me Universitetin Yeditepe të Stambollit. Moska deri tani duket se përjashton çdo ndryshim në përbërjen e grupit të Minskut, një qëndrim i mbështetur fuqimisht nga Presidenti Emmanuel Macron i Francës.

Gjatë viteve të fundit, Moska dhe Ankaraja kanë thelluar marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike, duke alarmuar partnerët e Turqisë në NATO.

Udhëheqësi turk Erdogan dhe Presidenti Vladimir Putin i Rusisë kanë punuar ngushtë në menaxhimin e luftës civile siriane pavarësisht mbështetjes së palëve rivale në konflikt.

Përpjekjet turke për zgjerimin e influencës në Kaukaz, megjithatë, po interpretohen si një shenjë e tendosjes në rritje në atë që nga ana tjetër ka qënë një afrim.

Nuk mendoj se Putini dhe Erdogani janë aq afër sa ishin më parë,” tha Atilla Yesilada, analist me kompaninë “Global Source Partners” me qendër në Shtetet e Bashkuara. “Mendoj se Erdogan dëshiron që Putini ta dijë se mund ta dëmtojë atë po aq sa mund ta dëmtojë Putini zotin Erdogan dhe dëshiron ta përdorë Azerbajxhanin për të përfituar lëshime në rastin e Sirisë,” tha zoti Yesilada.

Duke shtuar shqetësimin e Moskës, ambicjet e Ankarasë në Kaukaz nuk janë të kufizuara vetëm në Azerbajxhan. “Turqia tani është një fuqi ekuilibruese në Kaukaz,”tha për Zërin e Amerikës këshilltari presidencial turk Mesut Casin. “Turqia po mbështet Azerbajxhanin dhe Gjeorgjinë në Kaukaz. Shumë pajisje ushtarake po i jepen falas Gjeorgjisë nga Turqia,” tha ai.

Ukraina

Erdogan po ashtu po përpiqet të afrohet me një kundërshtar rajonal të Rusisë, Ukraninën.

Turqia e sheh Ukrainën si një vend të rëndësishëm për sigurimin e stabilitetit, sigurisë, paqes dhe begatisë në rajonin tonë,” tha zoti Erdogan gjatë një konference të përbashkët për shypin me Presidentin të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy në tetor në Stambloll.

Lidhur me komentet nga analistë se kjo do të lëndonte Moskën, zoti Erdogan u shpreh, “Ne e kemi mbështetur dhe do ta mbështesin gjithmonë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë”, që u aneksua nga Rusia në vitin 2014.

Turqia dhe Ukraina konsoliduan lidhjet e tyre me një marrëveshje për mbrojtjen në tetor. Marrëveshja përfshin një angazhim të rritur bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes, përfshi edhe fushën e teknologjisë së dronëve.

Motorat ukrainas përdoren në dronët ushtarakë të Turqisë, të cilët luajtën një rol vendimtar në Nagorno-Karabakh. Teknologjia e motorëve, sipas analistëve, është një dobësi në industrinë turke ushtarake që po rritet me shpejtësi.

Në një shenjë tjetër të tensioneve mes Turqisë dhe Rusisë, javën e shkuar autoritetet njofuan ndalimin e dy gazetarëve rusë në Stamboll nën dyshimet për spiunazh, pasi policia pretendoi se i kapi ata duke bërë filmime pranë fabrikave turke të dronëve. Vëzhguesit thonë se zhvillime të tilla, megjithëse nuk janë të pazakonta, zakonisht nuk publikohen nga autoritetet.

Tregtia në rrezik

Ekspertët theksojnë se Turqia dhe Rusia mbajnë lidhje të rëndësishme tregtare që ndihmojnë në ruajtjen e marrëdhënieve. Aktualisht Rusia po ndërton centralin e parë bërthamor të Turqisë, ndërkohë që kompania ruse Gazprom është furnizuesi kryesor i energjisë për Turqinë. Turistët rusë zënë vendin e dytë pas Gjermanisë në Turqi. Por Rusia ka një përfitim shumë të madh nga marrëdhëniet me Turqinë, me eksporte prej më shumë se 15 miliardë në vit më shumë se importe nga Turqia.

Vëzhguesit thonë se Ankaraja është e vetëdijshme për aftësitë e Moskës për të dëmtuar interesat turke nga Kaukazi në Siri dhe Libi. Zoti Yesilada thotë se çdo ripozicionim i marrëdhënimeve të Turqisë me Rusinë do të varet nga përmirësimi i lidhjeve me aleatët e saj tradicionalë përëndimor. “Para se të largohet nga përqafimi me Rusinë, ai (Erdogan) duhet të marrë siguri kundër asaj që Rusia mund t’i bëjë Turqisë, dhe ky sigurim duhet marrë nga Shtetet e Bashkuara ose NATO,” tha Yesilada.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG