Lidhje

Voltana Ademi procedohet penalisht nga policia


Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, është proceduar penalisht nga policia për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Ajo është e vetmja kryebashkiake në Shqipëri nga radhët e opozitës. Në një njoftin të saj policia bëri të ditur se, me të njëjtën akuzë janë proceduar penalisht edhe 7 përsona të tjerë, mes te cilëve nënkryetari i kësaj bashkie, Ardit Qylybyli, kryetari i Forumit Rinor të PD, Arvit Bushati si dhe shefi i repartit zjarrfikës, Ridvan Bushati.

Gjithashtu, policia ka proceduar edhe 21 shtetas të tjerë për pjesëmarrje në tubime të paligjshme si dhe 17 të mitur për shkatërrim të pronës me zjarr.

Deri tani, nuk ka njoftime për persona të arrestuar në lidhje me ngjarjen e një dite më parë kur,gjatë një manifestimi proteste kundër vrasjes se 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një punonjës i policisë, u sulmua me sende të forta selia e Partisë Socialiste si dhe u dogjën materialet që gjendeshin brenda mjediseve të saj.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e cila një ditë më parë ishte mes protestuesve, tha se procedimi penal ishte një hakmarrje politike dhe se “kërkonte të hetohet thellësisht për atë që ka ndodhur një ditë më parë në qytetin e Shkodrës dhe se ka dyshime të qenësishme për bashkëpunim edhe të instancave të shtetit, në këtë rast të policisë së shtetit, për atë që ka ndodhur”. Zonja Ademi ka deklaruar se, gjatë ditës së djeshme, ka depozituar në prokurori një kallzim pendal për mosveprim nga ana e punonjësve të policisë.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, është proceduar edhe më parë nga policia. Gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2019, zgjedhje ku opozita nuk mori pjesë, ajo u procedua katër herë nga policia për pengim të procesit zgjedhor. Deri tani, nuk ka ndonjë njoftim nëse prokuroria ka kryer hetime rreth këtyre procedimeve apo ato janë pushuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG