Administrata e presidentit Trump pranoi të dielën se disa institucione të Shteteve të Bashkuara ishin bërë objekt i sulmeve kibernetike nga një qeveri e huaj.
Ekspertët e sigurisë kibernetike besojnë se ka të ngjarë që Rusia të qëndrojë pas sulmit ndaj Departamentit të Thesarit dhe atij të Tregëtisë, në një depërtim që media amerikane po e quan si një nga sulmet më të sofistikuara ndaj sistemeve të qeverisë amerikane në vite.
"I kemi kërkuar Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës si edhe FBI-së të hetojnë dhe nuk mund të komentojmë më shumë tani për tani", tha Departamenti i Tregtisë në një deklaratë ku konfirmonte se një nga agjencitë e saj ishte bërë objekt i këtij sulmi.
Si FBI ashtu edhe krahu i sigurisë kibernetike të Departamentit të Sigurisë Kombëtare po hetojnë sulmet. Nuk janë të qarta përmasat e ndërhyrjes, motivi, apo nëse janë prekur agjenci të tjera.
"Qeveria e Shteteve të Bashkuara është në dijeni të këtyre njoftimeve dhe po ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të identifikuar dhe riparuar dëmet e mundshme në lidhje me këtë situatë," tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, John Ullyot.
Një zëdhënës i Kremlinit tha të hënën se Rusia nuk ishte e përfshirë në sulm.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, që njoftoi e para për shkeljen, zyrtarët e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara u takuan të shtunën në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar për sulmin, i cili përfshinte vjedhjen e informacionit në lidhje me politikat për internetin dhe telekomunikacionin.
Shkeljet vijnë një javë pasi FireEye, një kompani amerikane e sigurisë kibernetike me kontrata qeveritare dhe nga korporatat, tha se ishte vënë në shënjestër të një sulmi në të cilin hakera të një qeverie të huaj vodhën disa nga teknikat e saj kibernetike.
Facebook Forum