Lidhje

100 ditët e qeverisë Zaev


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev bëri një analizë të 100 ditëve të para të qeverisjes duke u përqëndruar tek projektet e realizuara dhe ato çka mbeten për t’u bërë. Zoti Zaev tha se pandemia e koronavirusit është sfida kryesore, e cila ka penguar zhvillimin ekonomik dhe ka bërë që të gjitha burimet të vihen në dispozicion të shëndetit të qytetarëve. Qeveria e tij ka garantuar 833 mijë vaksina përmes sistemit ‘Covax’ të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për imunizimin e 400 mijë qytetarëve. Vendi vazhdon të ketë një shkallë të lartë të vdekshmërisë si pasojë e COVID-19-s, me 2121 viktima, sipas të dhënave zyrtare deri të dielën në mbrëmje.

100 ditët e qeverisë Zaev
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Një tjetër sfidë për qeverinë në këto javët e fundit është problemi me Bullgarinë fqinje, e cila bllokoi hapjen e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, për shkak të çështjes së historisë dhe gjuhës. Sofja thotë se Shkupi nuk mund të evropianizohet me histori të vjedhur, ndërsa gjuhën maqedonase e konsideron si një dialekt të bullgarishtes. Sofja kërkon gjithashtu që Shkupi të heqë dorë nga pretendimet, rreth një pakicë maqedonase në Bullgari.

Por kryeministri Zaev u shpreh se vendi i tij do të vazhdojë të ndërtojë standardet evropiane deri në zgjidhjen e problemit.

Kjo qeveri, as populli e as shteti, tha Kryeministri Zaev, nuk kanë aspak faj. Identiteti maqedonas nuk mund të jetë çështje e negociatave dhe nuk heqim dorë nga e drejta e vetpërcaktimit, të garantuar nga konventat ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Zoti Zaev vuri theksin tek ndihmat financiare për zvogëlimin e efekteve negative të pandemisë ndaj kompanive e popullatës së prekur. Katër paketa antikrizë me vlerë një miliard euro janë dhënë për këtë qëllim. Ndërkohë ai nënvizoi nënshkrimin e disa marrëveshjeve brenda këtyre 100 ditëve për investimin e dhjetra milionë eurove në vend. Në këtë kuadër, theksoi angazhimet rreth ndërtimit të rrjetit të gazsjellësit dhe naftësjellësit që do të lidhen me Greqinë, një projekt ky i mbështetur fuqimisht edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zoran Zaev foli edhe mbi përpjekjet për mbrojtjen e ambientit, për projektin e suksesshëm, siç u shpreh ai, të zhvillimit të mësimit në distancë, për ndihmën ndaj shtresave më të prekura sociale. Për sa i takon fushës së gjyqësorit, Kryeministri Zaev paralajmëroi rreth asaj që e quajti “pastrim nga sundimi selektiv i ligjit”. Mbi korrupsionin, ai tha se “ata funksionarë që janë kapur në veprime të tilla, janë shkarkuar nga detyra”.

Zoti Zaev tha se nuk do të heqë dorë, edhe përkundër trysnive të mëdha të opozitës, nga fillimi i procesit të regjistrimit të popullsisë pranverën që vjen, ndërsa ligji ka hyrë tashmë në procedurë parlamentare.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE e ka akuzuar qeverinë e zotit Zaev për negociata të fshehta me Bullgarinë në dëm të interesave maqedonase, për çka VMRO-ja ka organizuar protesta në Shkup dhe qytete të tjera. Ndërkohë opozita shqiptare e drejtuar nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ngul këmbë për njohjen me kushtetutë të gjuhës shqipe dhe jo me referencën “gjuha të cilën e flasin 20 për qind e popullatës”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG