Lidhje

Ndikimi i shkrirjes së akullit në Arktik


Akulli në Oqeanin Arktik është shkrirë duke arritur pikën më të ulët të regjistruar gjatë kësaj vere. Kjo u shkaktua nga ngrohja globale së bashku me forcat natyrore. Por shkencëtarët thonë se edhe më shqetësuese është hollimi i shtresave të akullit në Detin Arktik që kanë filluar të bien që nga viti 1979.

Shtrirja e akullit që mbulon oqeanin nga Poli i Veriut e deri në jug të Alaskës, Kanada, Groenlandë dhe Rusi, gjatë verës arriti vlerat më të ulëta prej 3.7 milion kilometra katrorë.

Akulli i detit Arktik arrin pikën e tij më të ulët në shtator ndërsa më të lartën në mars pas dimrit.

Por gjatë kësaj vere, akulli është shkrirë në nivelin e dytë më të ulët të regjistruar. Kjo sipas një raporti të shkencëtarëve amerikanë, është shkaktuar nga ngrohja globale, së bashku me forcat e natyrës.

Profesori Michael Tjernstrom, meteorolog në Universitetin e Stokholmit, thotë se më brengosëse se shifrat është prirja e rënies së trashësisë së akullit në det.

Edhe pse gjatë dimrit shohim kthimin e akullit që mbulon gjithë pellgun, akulli po bëhet gjithnjë e më i hollë pra gjithmonë kemi më pak akull që i mbijeton sezonit. Kjo është një prirje që e kemi parë nga viti 1979 kur kemi filluar përdorimin e satelitëve që të analizojmë këto të dhëna”, thotë ai.

Sipas qendrës kombëtare të të Dhënave të Borës dhe Akullit, situata e sivjetme është më e mirë vetëm nëse krahasohet me vitin 2012, kur akulli u shkri në 3.4 milion kilometra katrorë.

Në vitet '80-të, shtresa e akullit mbulonte rreth 2.7 milion kilometra katrorë, më e madhe se nivelet aktuale të verës.

Sipas Qendrës së të Dhënave, i ngrohti siberian në pranverën e shkuar, një dukuri natyrale e klimës arktike por edhe djegja e qymyrit, vajit dhe gazit natyror, luajtën rol në shkrirjen e sivjetme. Temperaturat gjatë këtij viti në Arktikun e Siberisë ishin me 8 deri në 10 gradë celcius mbi normalen.

Akullnajat në rajonet polare kanë ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e akullit . Rajonet polare, janë në një formë polet e ftohta të sistemit. Janë frigoriferë në kuzhinën e tokës. Kur ato ndryshojnë humbet ekuilibri në tokë. Jam shumë i sigurt se do të përjetojmë shumë befasi në të ardhmen. Ndryshime të papritura në sistemin e klimës, për shkak të këtyre ndërveprimeve shumë të vështira në të gjithë botën”, tha zoti Tjernstrom.

Studimet tregojnë se ngrohja në Arktik dhe shkrirja e akullit të detit ndryshoi motin në jug, rrymat e ajrit dhe ndryshime të tjera në sistemin e klimës.

Në këtë rast do të shohim rënien e akullit të detit. Do të shohim shkrirjen e akullnajave në Grenlandë dhe Antarktidë. Do të shihni zjarre ekstreme në pyje, vale nxehtësie, përmbytje, uragane të forta. Kur e shikoni këtë pamje do ta merrni mesazhin që njofton se klima po ndryshon më shpejt sesa kemi pritur ndonjëherë, edhe pse këto gjëra i parashikuan të paktën dy dekadat e fundit”, thotë ai.

Por cila është rruga për tejkalimin e këtij problemi global sipas meteorologut Tjernstrom?

Zgjidhja e vetme e problemit është të ndalojmë ngrohjen globale. Nuk ka zgjidhje të shpejtë për Arktikun. Nuk ka asnjë mënyrë si ta mbrojmë sistemin pa ndryshuar qëndrimin tonë ndaj klimës. Kjo është zgjidhja e vetme: ndaloni djegien e lëndëve fosile”, thotë zoti Tjernstrom në këshillën e tij për të gjithë banorët e tokës.

XS
SM
MD
LG