Lidhje

Kushtetuesja, KED mbyll procesin për një vakancë të Parlamentit


Në Shqipëri, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, (KED) i dërgoi sot Parlamentit emrin e juristit Altin Binaj, për të cilin përfunduan të gjitha procedurat që nga verifikimi deri te pikëzimi. Zoti Binaj, kishte mbetur kandidaturë e vetme, për vakancën e shpallur nga Parlamenti.

KED ka në shqyrtim dhe kandidaturat për dy vakanca të tjera, të shpallura që të dyja nga presidenti i Republikës.

Për njërën nga vakancat, përveç emrit të zotit Binaj, është dhe kandidatura e zonjës Sonila Bejtes. KED ka përfunduar vlerësimin, por situata u komplikua, pasi javën e shkuar, Gjykata administrative e Apelit, riktheu në garë kandidaten e skualifikuar Zhaklina Peto. Tani për të, procedura duhet të nisë nga e para, ndonëse KED mbetet të vlerësojë nëse do të rishikojë pozicionin e vet, në raport me vendimin e Gjykatës.

Për vakancën e tretë, po të presidentit, janë në garë 3 kandidatë. Mes tyre është sërish zoti Binaj, dhe dy emra të tjerë Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo, ky i fundit, u kualifikua në mbledhjen e së premtes së kaluar, kështu që do t’i nënshtrohet procesit që nis fillimisht me vlerësimin.

Mbetet për të parë se si do të jetë ecuria e procesit me kandidaturat për vakancat e presidentit. Ambasadorja amerikane Yuri Kim tha sot se “KED përfundoi vlerësimin dhe dërgoi në Parlament listën e kandidatëve të kualifikuar për GJykatën Kushtetuese. Kjo do të thotë se Shqipëria do ketë këtë javë, 1 nga 2 gjykatësit e nevojshëm për një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Sapo Presidenca të kandidojë gjykatësin e saj, Gjykata Kushtetuese do jetë funksionale” shkruajti ambasadorja në një postim në Tëitter, duke shtuar më pas se se shpresonte që “KED do të punojë me të njejtën urgjencë për të kompletuar listën e kandidatëve për Presidencën dhe për t’ja dërguar sa më shpejt asaj në mënyrë që Shqipëria të mund të ketë funksionale Gjykatën Kushtetuese, brenda 31 dhjetorit”.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 4 nga 9 anëtarët e saj. Nëse do të mund të emërohen dhe dy gjykatës të tjerë, atëherë arrihet minimumi i nevojshëm që ajo të mblidhet në seancë plenare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG