Lidhje

Putini mohon përfshirjen e qeverisë në helmimin e Navalny-t


Presidenti rus Vladimir Putin hodhi poshtë të enjten një investigim mediatik që identifikonte përgjegjësit për helmimin e udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny, si vrasës të caktuar nga shteti.

Gjatë konferencës vjetore për shtyp, zoti Putin e quajti raportin një "trill" dhe tha se zoti Navalny nuk ishte aq i rëndësishëm sa të ishte shënjestra e një sulmi të tillë.

Zoti Putin akuzoi se zoti Navalny kishte mbështetje nga agjencitë amerikane të zbulimit.

Sipas faqes investigative Bellingcat, një njësi elite e armëve kimike brenda strukturave të zbulimit rus gjurmoi gjatë tre viteve të fundit opozitarin Alexei Navalny.

Gjatë një fluturimi në muajin gusht zoti Navalny u sëmur dhe më vonë u dërgua në Gjermani për mjekim. Sipas laboratorëve në Gjermani, Francë dhe Suedi zoti Navalny ishte helmuar me Noviçok, që i përket së njëjtës kategori të agjentit nervor të epokës sovjetike që Britania thotë se u përdor në sulmin ndaj ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Salisbury të Anglisë në 2018.

Presidenti Putin foli mbi një sërë temash gjatë paraqitjes së tij të enjten, përfshirë administratën e ardhshme të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së Joe Biden.

Ai tha se shpreson se ndryshimi i presidentit në janar do të ndihmojë në zgjidhjen e disa çështjeve të vështira në marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Në vitin 2017, komuniteti amerikan i zbulimit doli në përfundimin se Presidenti rus Putin kishte urdhëruar një fushatë që synonte zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016 me qëllimin për të ndihmuar Presidentit Donald Trump të fitonte. Një hetim i mëvonshëm i udhëhequr nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller detajoi ndërhyrjen e qeverisë ruse si "gjithëpërfshirëse e sistematike".

Zoti Putin i hodhi sërish poshtë akuzat për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG