Mbreti i Suedisë Carl Gustaf XVI tha se vendi i tij ka "dështuar" në përgjigjen ndaj pandemisë së COVID-19 -s dhe sipas tij populli suedez ka vuajtur "jashtëzakonisht" si rezultat i kësaj.
Në disa komente të regjistruara paraprakisht e të publikuara të enjten, mbreti thotë se shumë njerëz kanë vdekur në Suedi nga virusi dhe "kjo është e tmerrshme".
Mbreti 74 vjeçar, djali dhe nusja e të cilit u infektuan nga virusi muajin e kaluar, u pyet nëse kishte frikë se mos infektohej edhe vetë nga COVID-19.
"Kohët e fundit është parë më qartë. Është zvarritur gjithnjë e më shumë dhe kjo nuk është diçka që do të dëshironim”, tha ai.
Mbreti i bëri komentet si pjesë e një programi televiziv me rastin e fundvitit planifikuar të transmetohet të hënën në televizionin suedez. Në Suedi monarku ka një rol ceremonial dhe nuk mban asnjë pushtet politik.
Suedia fillimisht mori një qasje të ndryshme ndaj pandemisë nga ajo e fqinjëve të saj në veri, Norvegjisë dhe Danimarkës, si dhe kombeve të tjera në Evropë. Qeveria nuk vendosi kurrë bllokime apo nuk mori masa për vendosjen e detyruar të maskave, por lejoi restorantet dhe bizneset të qëndrojnë të hapura dhe u mbështet kryesisht në distancimin vullnetar social dhe tek rekomandimet për ruatje të higjienës për të ngadalësuar përhapjen.
Por vendi u përball me një rritje të numrit të vdekjeve, veçanërisht në mesin e të moshuare që jetojnë në azile dhe shkalla e vdekshmërisë për frymë tejkaloi shumë nivelin e shënuar në Norvegji e Danimarkë.
Në një raport paraprak të lëshuar të martën, një komision i pavarur i caktuar nga qeveria suedeze tha se qeveria nuk arriti të mbrojë mjaftueshëm të moshuarit që jetojnë në azile.
Javët e fundit, qeveria ka vendosur kufizime më të rrepta ndaj COVID-19-s, duke detyruar mësimdhënien në distancë për shkollat, duke kufizuar madhësinë e tubimeve publike dhe duke ndaluar shitjen e alkoolit pas orës 10 të mbrëmjes në bare e restorante.
Numri total i vdekjeve në Suedi si pasojë e COVID-19 llogaritet në 7,667 persona, shumë më i lartë se i fqinjëve të saj rajonalë, por më i ulët se i vendeve të tjera evropiane si Britania, Spanja, Italia dhe Franca, të cilat vendosën masa kufizuese ndaj pandemisë.
Facebook Forum