Lidhje

Biden: Siguria kibernetike përparësi e qeverisë


Administrata e Presidentit Donald Trump dhe Presidenti i zgjedhur Joe Biden ngritën sërish shqetësimin të enjten rreth një ndërhyrje të gjerë në sistemet kompjuterike në të gjithë botën që zyrtarët dyshojnë se ishte kryer nga Rusia.

Njësia e sigurisë kibernetike në Departamentin amerikan të Sigurisë së Brendshme tha se sulmi "përbën një kërcënim të madh ndaj qeverisë federale, shteteve dhe struktuarve të tjera në nivel lokal, si dhe ndaj objekteve kritike të infrastrukturës dhe sektorit privat".

Sipas njoftimeve të reja të publikuara të enjten Departamenti i Energjisë dhe Microsoft-i ishin mes atyre që ishin prekur nga sulmi. Të parët që u identifikuan si subjekte të sulmit ishin departamentet amerikane të Thesarit dhe Tregtisë.

Njësia e Sigurisë Kibernetike paralajmëroi se heqja nga rrjetet e programeve me viruse do të ishte një përpjekje "shumë komplekse dhe sfiduese".

Departamenti i Energjisë tha se sulmi kishte prekur vetëm rrjetet e tij të biznesit.

"Deri tani hetimi ka zbuluar se programet me virus kishin ndodhur vetëm në rrjetet e biznesit dhe nuk kanë ndikuar në funksionet thelbësore të departamentit që lidhen me sigurinë kombëtare", tha në një deklaratë zëdhënësja e departamentit Shaylyn Hynes.

Të enjten agjencia Reuters njoftoi se gjigandi privat i teknologjisë Microsoft ishte prekur gjithashtu nga sulmi, por nuk arriti ta konfirmonte shkallën e dëmit.

Zoti Biden, i cili pritet të inaugurohet si presidenti i 46-të i SHBA-së më 20 janar, tha se "ka shumë gjëra që nuk dihen ende, por ajo çka dihet përbën një shqetësim të madh".

Zoti Biden tha se kishte "udhëzuar ekipin e tij për të mësuar më shumë mbi sulmin. Ai vlerësoi nëpunësit civilë të qeverisë të cilët siç tha po punojnë gjithë kohën për t'iu përgjigjur sulmit.

Zoti Biden u zotua se pasi të marrë detyrën "administrata e tij do ta shndërrojë sigurinë kibernetike dhe ndërhyrje të kësaj natyre në përparësi të qeverisë”.

Ai tha se do të forconte partneritetin e qeverisë me sektorin privat në funksion të sigurisë kibernetike.

Të enjten në një postim në twitter senatori republikan Mitt Romney kritikoi administratën Trump për reagimin e saj, duke e quajtur atë "heshtje dhe mosveprim të pafalshëm nga ana e Shtëpisë së Bardhë".

"Sulmi kibernetik është njësoj sikur bombardues rusë të kenë fluturuar në mënyrë të përsëritur dhe pa u zbuluar në të gjithë vendin tonë", shkruante zoti Romney në një koment në Twitter.

Të premten FBI-ja dhe agjenci të tjera pritet të informojnë anëtarët e Kongresit mbi shqetësimet rreth sigurisë.

CISA tha se po vazhdon hetimin mbi sulmet. Robert O'Brien, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, ndërpreu një udhëtim jashtë vendit këtë javë për shkak të sulmit kibernetik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG