Lidhje

Kosovë: vazhdojnë këshillimet për datën e zgjedhjeve të parakohshme


Kosovë: vazhdojnë këshillimet për datën e zgjedhjeve të parakohshme
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Kosova po e mbyllë vitin me një situatë të paqartë politike dhe tashmë ndodhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Postet kryesore të vendit udhëhiqen nga ushtrues detyre pas zhvillimeve të muajve të fundit.

Posti i presidentit të vendit ushtrohet nga kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani pas dorëheqjes së ish presidentit Hashim Thaçi i cili tashmë ndodhet në paraburgim në Hagë si i akuzuar për krime lufte.

Kryeministri është po ashtu në detyrë pasi që Gjykata Kushtetuese të hënën e shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Avdullah Hoti, ndërsa kërkoi që vendi të shkojë në zgjedhje jo më larg se 40 ditë nga data e shpalljes së tyre.

Për të dytën ditë me radhë ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, zhvilloi këshillime me partitë politike në kërkim të një date për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Të mërkurën ajo takoi përfaqësuesit e Nismës Socialdemokrate, deputetët e partive të komuniteteve tjera pakicë, Listës Serbe etj.

Endrit Shala nga Nisma Socialdemokrate tha se zgjedhjet e ardhshme pritet të mbahen në fillim të muajit shkurt.

“Gjitha parashikimet, fillimi i shkurtit do të ishte data ideale për mbajtjen e zgjedhjeve për parlamentin e Kosovës”, tha zoti Shala.

Të mërkurën, Partia Demokratike e Kosovës, shpalli se kandidat i saj për kryeministër është Enver Hoxhaj, aktualisht ushtrues detyre i kryetarit të kësaj partie.

”Zoti Hoxhaj, përpos karrierës së tij akademike, ka një përvojë të gjatë institucionale e politike. Ai ka punuar gjatë dhe afër me dy burrështetasit që sot nuk i kemi këtu, Z. Kadri Veseli dhe Z. Hashim Thaçi, duke realizuar aspiratat e qytetarëve për pavarësi e shtet-ndërtim”, tha në një konferencë më gazetarë sekretari i Partisë Demokratike, Uran Ismaili.

Partitë tjera politike thonë se janë duke pritur vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese para se të fillojnë të prezantojnë kandidatët e tyre për kryeministër.

“Të shpallen zgjedhjet dhe pastaj në moment që shpallen ato ne do të mbledhim organet tona, do të diskutojmë në mënyrë institucionale dhe jo në bazë të përmendjeve, dëshirave personale sepse megjithatë jemi parti institucionale dhe ne çdo gjë e çojmë në institucione dhe organe tona”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Derisa partitë në pushtet po kërkojnë që së pari të miratohet buxheti i ri i shtetit, partitë opozitare po kërkojnë që vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje për t’i lënë hapësirë formimit të institucioneve të reja, të cilat pritet të përballen me një paqartësi kushtetuese në rast se tejkalohet data 5 maj, kur edhe skadon afati gjashtë muajsh i ushtrueses së detyrës Vjosa Osmani për të mbajtur postin e presidentit.

Zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë të tretat brenda katër viteve në Kosovë, ku që nga shpallja e pavarësisë asnjë qeveri nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG