Në Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi sot (e martë) disa ndryshime të reja në kabinetin e tij qeveritar, në postet kyçe të Diplomacisë dhe Mbrojtjes.
Zoti Rama bëri të ditur se ai nuk do të mbajë më postin e ministrit të Jashtëm, duke ja besuar këtë detyrë ministres aktuale të Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Kryeministri mori përsipër drejtimin e diplomacisë rreth dy vjet më parë, pasi presidenti Ilir Meta refuzoi të dekretonte propozimin për këtë post të zotit Gent Cakaj. Pavarësisht kësaj ai do t’ia delegonte zotit Cakaj drejtimin e ministrisë së Jashtme, ndërsa vetë do të shfaqej në takime të nivelit të lartë, si dhe në krye të presidencës shqiptare të OSBE-së.
Në detyrën e ministrit të Mbrojtjes, zoti Rama ka vendour të emërojë ish-zëvendës kryeministrin dhe ish-ministrin e Bujqësisë Niko Peleshi.
Kjo është ndërhyrja e tretë e zotit Rama në qeverinë e tij brenda këtij viti. Në vjeshtë u largua ministrja e Arsimit Besa Shahini, ndërsa dy javë më parë ai u detyrua të zëvendësojë ministrin e Brendshëm Sandër Lleshi, pas dorëheqjes.
Facebook Forum