Lidhje

Irani planifikon rritjen e nivelit të pasurimit të uraniumit


Irani tha të shtunën se ka në plan të rrisë shkallën e pasurimit të uraniumit në 20% në objektin e saj nëntokësor bërthamor Fordo “sa më shpejt që të jetë e mundur”, duke sjellë programin e saj teknikisht një hap më pranë nivelit të shkallës së armëve, ndërsa Teherani rrit trysninë mbi Perëndimin lidhur me marrëveshjen bërthamore nga e cila është larguar Uashingtoni.

Masa vjen ndërsa janë rritur tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në ditët e fundit të administratës së Presidentit Donald Trump, i cili tërhoqi në mënyrë të njëanshme Amerikën nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2018.

Tërheqja u pasua me një seri incidentesh që kulminuan me një sulm me dron që la të vrarë një gjeneral të lartë iranian në Bagdat një vit më parë. Të dielën shënohet përvjetori i sulmit ndërsa zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar lidhur me mundësitë e një hakmarrje të mundshme nga Irani.

Vendimi i Iranit një dekadë më parë për të filluar pasurimin në shkallën 20% pothuajse çoi në një sulm nga ana e Izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane, tensione që u zbutën vetëm me arritjen e marrëveshjes bërthamore në vitin 2015. Rifillimi i pasurimit prej 20% mund të çojë në rikthimin e asaj situate.

Ali Akbar Salehi, i shkolluar në Shtetet e Bashkura, drejton Organizatën e Energjisë Atomike të Iranit. Ai jep një analogji ushtarake për të përshkruar gatishmërinë e agjencisë për të ndërmarrë hapin tjetër.

“Jemi si ushtarët me gishtin në këmbëzën e pushkës,” tha për televizionin shtetëror kreu i agjencisë civile. “Komandanti duhet të japë urdhërin dhe ne qëllojmë. Jemi të gatshëm për këtë dhe do të prodhojmë uranium të pasuruar me 20% sa më shpejt që të jetë e mundur.”

Vendimi i Iranit vjen pasi parlamenti i atij vendi kaloi një projektligj, të miratuar më vonë nga një organ kushtetues, që synon rritjen e pasurimit për të ushtruar trysni ndaj Evropës për të siguruar lehtësimin e sanksioneve. Po ashtu shërben si presion para inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, i cili ka thënë se është i gatshëm për t’u rikthyer në marrëveshjen bërthamore.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore e pranoi se Irani i kishte informuar përmes një letre inspektorët e saj lidhur me vendimin pas rrjedhjes së lajmit mbrëmjen e së premtes.

“Irani ka informuar agjencinë se në bazë të një akti ligjor të miratuar nga parlamenti i vendit, Organizata e Energjisë Bërthamore iraniane ka në plan të prodhojë uranium të pasuruar të gradës 20% nga uraniumi i pasuruar i gradës së ulët në centralin Fordo,” thuhet përmes një deklerate nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA).

IAEA shtoi se Irani nuk ka thënë se kur ka në plan të rrisë pasurimin, megjithëse agjencia ndërkombëtare “ka inspektorë të pranishëm në Iran gjatë gjithë kohës të cilët kanë qasje në centralin Fordo.” Projektligji parlamentar po ashtu i ka bërë thirrje Iranit që të dëbojë inspektorët, megjithëse duket se Irani ende nuk ka vendosur për të ndërmarrë atë hap.

Salehi tha se Irani do të duhet të ndalojë uraniumin natyral në centrifugat në Fordo për material të pasuruar tashmë të masës 4% për të filluar prosesin e rritjes së pasurimit në 20%.

“Duhet bërë nën mbikëqyrjen e IAEA,” tha Salehi. Që nga prishja e marrëveshjes, Irani ka rifilluar pasurimin në Fordo, pranë qytetit të shenjtë Qom të sektit Shiit, rreth 90 kilometra në juperëndim të Teheranit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG