Lidhje

SHBA: Kongresi gjatë vitit 2020


Ligjvënësit amerikanë ishin mjaft të zënë gjatë vitit 2020. Në fillim ishte gjyqi për shkarkimin e Presidentit, pastaj u morën me paketën ndihmës, më e madhja në historinë e vendit, edhe pse shumë prej tyre iu desh të punonin dhe të votonin në distancë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Katherine Gypson e Zërit të Amerikës i hedh një vështrim këtij viti historik.

Me fillimin e 2020-s gjyqi për shkarkimin e Presidentit Donald Trump i mori mjaft kohë Kongresit.

"Donald Trump do t’u shpëtojë akuzave për abuzim pushteti," tha në atë kohë senatorja Kamala Harris.

Përfundimisht, Presidenti Trump u lirua nga akuza se kishte përdorur ndihmën për Ukrainën për të goditur rivalin politik Joe Biden.

"Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk është fajtor siç akuzohet," shpalli Kryetari i Gjykatës së Lartë.

"Edhe pse kjo histori mund të harrohet, pra se përse ndaj tij u ngritën akuza, mendoj se demokratët po përpiqeshin të ngrinin argumentin se ky president meritonte të hiqej," thotë Casey Burgat, e Universitetit George Washington.

Por shumë shpejt, debati politik u dominua nga pandemia. Nga fundi i marsit, bllokimet për të ndaluar përhapjen e virusit rrezikonin ekonominë, duke e shtyrë Kongresin të miratonte paketën e ndihmës, më e madhja në historinë amerikane.

"Bëhet fjalë për jetë njerëzish, nuk është koha për politikë," tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Miratimi i Aktit CARES prej 3 trilion dollarë ishte një moment i rrallë marrëveshjeje në Kongres.

"Kur Kongresi e ka vullnetin për të bërë diçka, qoftë edhe një paketë tepër të shtrenjtë me dispozita të panumërta që prek të gjithë faktorët ekonomikë, pra kur ata duan, e bëjnë."

Kongresit iu desh të përshtatej me mënyrat e reja të funksionimit për shkak të pandemisë.

“Kongresi ishte një nga institucionet e fundit që u përpoq të përshtatej. Ata bënë disa seanca dëgjimore dhe disa votime në distancë, por jo të gjithë anëtarët e Kongresit u përshtatën me masat e reja.”

Në qershor, mes protestave mbarëkombëtare për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd nën arrest policor, ligjvënësit nuk arritën të miratonin një propozim ambicioz për reformat në polici.

"Vendi na ka dhënë një mundësi që të udhëheqim, por miqtë e mi në anën tjetër thjesht thonë jo," u shpreh senatori republikan Tim Scott.

Zhgënjimi vazhdoi dhe ligjvënësit dështuan për muaj me radhë për një pakte të dytë ndihme. Një projekt i demokratëve prej 3 trilion dollarësh dështoi në Senat, ku republikanët paralajmëruan për shpenzime të tepruara.

"Nuk mendoj se situata e tanishme kërkon një paketë shumë-trilionëshe,” tha Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës së Senatit.

Në tetor, Amy Coney Barrett u konfirmua si anëtare e Gjykatës së Lartë nga Senati me shumicë republikane megjithë kundërshtimet e demokratëve.

"Shumica republikane vendosi të dalë kundër vullnetit të popullit dhe të konfirmojë një anëtare për jetë në Gjykatën e Lartë në një kohë zgjedhjesh presidenciale," tha Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës në Senat

Këto zgjedhje përfunduan me fitoren e demokratit Joe Biden.

Por viti 2020 u mbyll me më shumë pasiguri në Kongres. Në janar në shtetin e Xhorxhias do të ketë balotazh për dy vende në Senat. Balotazhi do të vendosë se cila parti do të kontrollojë Senatin për dy vitet e ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG