Lidhje

Turizmi dixhital në kohën e pandemisë


Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar rënie të mëdha në turizëm dhe udhëtime, duke çuar në hotele të boshatisura dhe anulimin e tureve në mbarë botën. Në kryeqytetin gjerman, Berlin, një operator i guidave turistike ka vendosur ta kthejë biznesin e tij në dixhital, duke zhvilluar ture të drejtpërdrejta përmes internetit.

Përmes videos dhe internetit, Jeremy Minsberg i mirëpret turistët dixhitalë në kryeqytetin gjerman të Berlinit. Ai ka gjetur këtë mënyrë novatore ndërsa turizmi është krejtësisht i pamundur. Në këto kohë të vështira, mënyra tjetër më e mirë mund të jetë një turne virtual i drejtpërdrejtë nga Porta Brandenburg, ikonë e qytetit.

Amerikani Jeremy Minsberg nga shteti Mineapolis ka 20 vjet që jeton në Berlin. Ai ka siguruar jetesën si guidë private turistike në këtë qytet. Por pandemia mbylli gjithçka.

“E gjithë vera ishte e prenotuar. Por kur goditi pandemia në mars, të gjithë klientët anuluan prenotimet”.

Ai mendoi për ide të ndryshme për të mbajtur gjallë biznesin dhe për të mbajtur lidhje me klientët e tij. Atij i lindi ideja për të bërë ture të drejtpërdrejta virtuale të qytetit përmes platformës Zoom.

“Duhet të jeni krijues dhe të dalësh me ide të reja. Në vend që të presësh që klientët të vijnë në Berlin, duhet të mendosh si ta dërgosh Berlinin tek klientët.”

Deri tani ai ka bërë mbi 100 ture të drejtpërdrejta virtuale. Disa kanë qënë private, por ka patur edhe grupe me rreth 100 pjesmarrës. Çdo tur kushton 75 euro në orë dhe zgjat dy orë. Ai ofron disa lloje turesh virtuale të drejtpërdrejta nga pikat historike të qendrës së qytetit.

“Ndërsa kaloj nëpër rrugët e qytetit, bisedoj me pjesëmarrësit dhe ata mund të më pyesin për gjëra të ndryshme. Mund të më pyesin për diçka që shohin në video pas meje, apo të më thonë të kthehem mbrapsht për të parë diçka tjetër apo të ndaloj.”

Ai ka patur klientë që nga Zelanda e Re e deri në Australi. Por shumica e atyre që prenotojnë turet janë nga Shtetet e Bashkuara.

Një prej tyre është Karen Winokur e cila organizoi një turne virtual për 20 miq të saj nga një klub kulturor në Uashington.

“Ajo që na tërhoqi është se Jeremy ofron ture virtuale të drejtpërdrejta. Ndërsa ecën nëpër rrugët e Berlinit ai tregon për historinë dhe ka njohuri të mahnitshme, si dhe personaliteti i tij është shumë miqësor.”

Për momentin ai po ofron më pak ture si rezultat i ditës më të shkurtër dhe diferencës kohore mes Berlinit dhe Shteteve të Bashkuara. Por ai po përgatitet për më shumë punë kur ditët të fillojnë të zgjaten për të ofruar ture virtuale të drejtpërdrejta për klientët e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG