Masat e sigurisë janë rritur në Bundestagun gjerman (dhoma e ulët e parlamentit) pas sulmeve në ndërtesën e Kongresit amerikan në Uashington nga protestuesit javën e kaluar, u ka thënë ligjvënësve presidenti i Bundestagut Wolfgang Schabe, sipas gazetës së përjavshme “Bild am Sonntag”.
“Policia shtetërore e Berlinit ka vendosur forcat e saj përreth ndërtesës Reichstag (parlamentit),” citohet të ketë thënë zoti Schäuble në një letër drejtuar ligjvënësve.
Gazeta “Bild am Sonntag” njofton gjithashtu se zoti Schäuble i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme një raport lidhur me dhunën në kryeqytetin amerikan dhe do të “qartësojë me qeverinë federale dhe shtetërore të Berlinit se çfarë përfundimesh do të dalin për sigurinë e Bundenstagut.”
Mbështetësit e zemëruar të Presidentit Trump, i cili humbi zgjedhjet në nëntor, u futën me dhunë në ndërtesën e Kongresit amerikan të mërkurën. Pesë njerëz humbën jetën, përfshi një punonjës të policisë.
Në Berlin, protesuesit kundër kufizimeve për koronavirusin vërshuan në shkallët e ndërtesës së parlamentit gjatë një demonstrate në muajin gusht.
Facebook Forum