Partitë politike në Kosovë kanë afat deri më 16 janar të paraqiten në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar bashkë me kandidatët e tyre për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Verifikimi i listave të tyre pritet të bëhet mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila tha se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale, sikurse parashihet me kushtetutë apo ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse ka një vendim dënues që është në fuqi në Kosovë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nxiti debate nëse kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mund të kandidojë pasi që në muajin shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të muajit janar të atij viti që dënoi zotin Kurti dhe tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.
Njohës të drejtësisë, shpërfaqën të mërkurën përgjatë një debati të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi qëndrime të ndryshme rreth kësaj cështjeje.
Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se gjykata nuk ka lënë hapësirë për interpretim tjetër përveç asaj që çdo person i dënuar gjatë tri viteve të fundit nuk mund të marr pjesë në zgjedhje si deputet.
“Gjykata nuk e ka bërë asnjë dallim sa i përket peshës së veprës, llojit të dënimit dhe në mënyrë gjenerale dhe nuk ka asnjë vend që citohet raporti i Komisionit të Venecias që e thotë në këtë mënyrë. Aty ke ose me kushtetutë ose me ligj, si akte autorizuese që shumicën e rasteve ja lënë një organi me vendos dhe askush nuk mund ta individualizoj marrjen ose humbjen e drejtave, ndërsa ligji kur e jep autorizimin e cakton saktësisht peshën, llojin e dënimit dhe këtë vet e ka caktu, por gjykata nuk e ka ndjek këtë rrugë”, tha zoti Hasani.
Ish kryetari i Gjykatës së Lartë, Fejzullah Hasani thotë se e drejta e personave për të kandiduar për deputetë nuk është çështje kushtetuese, por ligjore. Ai thotë se verifikimi i kandidatëve duhet të bëhet përmes ligjeve dhe Kodit Penal që tregojnë edhe shkallën e veprave penale.
“Po të isha në KQZ unë do të zbatoja standardin, Kodin, ligjin dhe kushtetutën. Përndryshe nëse është detyrimisht i zbatueshëm (vendimi i Gjykatës Kushtetuese) atëherë kandidatët nuk kanë çka lypin në ankesa, as në Gjykatën Kushtetuese sepse nuk kanë mbrojtje nëse është detyrimisht e zbatueshme dhe në këto përmasa edhe me këto difekte edhe me këto që i përmbysë parimet fundamentale në të drejtën penale”, tha zoti Hasani.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti, duke hapur rrugën për shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Facebook Forum