Lidhje

Aktivisti rus, Navalni kthehet në Moskë


Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexey Navalni u nis të dielën drejt Moskës, megjithëse autoritetet ruse e kanë bërë të qartë se kanë në plan ta arrestojnë dhe mund ta dënojnë me disa vjet burgim.

Zoti Navalni u nis nga Berlini, ku ka qëndruar prej disa muajsh për trajtim mjekësor, pas helmimit me një agjent toksik, për të cilin ai ka fajësuar Kremlinin.

I njohur si kritik i fortë i regjimit të Presidentit Putin, Navalni tha më 13 janar se do të kthehej në Rusi, megjithëse kishte marrë njoftim nga Shërbimet Federale ruse të Korrektimit se autoritetet po përpiqeshin ta arrestonin.

Kthimi i tij krijon terren për një tjetër ballafaqim dramatik mes Kremlinit dhe Navalnit. Muajin e kaluar autoritetet ruse kërkuan kthimin e tij të menjëhershëm nga Gjermania, duke thënë se ai kishte shkelur termat e lirimit me kusht lidhur me akuzat për mashtrim të vitit 2014.

Vetë Navalni është shprehur se nuk është për diskutim nëse do të kthehet apo jo, meqë qëndrimi i tij në Gjermani nuk ishte me dëshirë, por për arsye mjekësore.

Përkrahësit e tij kanë thënë se do të dalin në aeroportin Vnukovo të Moskës për ta pritur. Pritet që të dalin edhe aktivistë pro-Kremlinit.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Moskës ka thënë që çdo grumbullim do të konsiderohej i paligjshëm pasi aktivistët nuk kanë siguruar leje paraprake.

Autoritetet e aeroportit thanë se nuk do të lejohej prania e gazetarëve, duke ngritur si arsyetim kufizimet për koronavirusin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG