Antony Blinken, i përzgjedhur nga presidenti Joe Biden për postin e Sekretarit të ardhshëm të Shtetit, tha se vizioni i tij për të rikthyer imazhin e Amerikës jashtë vendit është një rol udhëheqës që bazohet tek "përulësia dhe besimi". Zoti Blinken dëshmoi të martën para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton nga Uashingtoni.
Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë mbajti një seancë dëgjimore për konfirmimin e ish Zëvendës Sekretarit të Shtetit Antony Blinken. Zoti Blinken paraqiti vizionin e tij për udhëheqjen amerikane jashtë vendit, duke thënë se përulësia dhe besimi janë standarte të patjetërsueshme.
“Përulësi, sepse kemi shumë punë për të bërë në vend për të përmirësuar imazhin jashtë vendit. … Por ne gjithashtu do të veprojmë me besim. Me besimin se Amerika ende ka aftësinë më të mirë nga çdo vend në botë për të mobilizuar të tjerët për të mirën e përbashkët", tha zoti Blinken.
Duke iu referuar sulmit në Kapitol nga mbështetësit e Trumpit ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të çertifikuar zgjedhjet presidenciale, senatori demokrat Bob Menendez tha se lidershipi amerikan jashtë vendit është i lidhur me respektimin e demokracisë në vend.
"Ky sulm mbi themelin e demokracisë sonë na solli në vëmendje faktin tragjik se aftësia jonë për të projektuar pushtet jashtë vendit është e lidhur ngushtë me shëndetin dhe forcën e demokracisë sonë".
Për politikën e jashtme, zoti Blinken tha se ai sheh disa pika të përbashkëta me administratën e zotit Trump.
“Unë gjithashtu besoj se Presidenti Trump kishte të drejtë për një qasje më të ashpër ndaj Kinës. Nuk pajtohem shumë me mënyrën se si ai e vazhdoi këtë qasje në një numër fushash, por parimi themelor ishte ai i duhuri. Mendoj se kjo në të vërtetë është e dobishme për politikën tonë të jashtme”.
Senatori republikan Ron Johnson u përgjigj.
"Mendoj se Presidenti Trump u hapi sytë të gjithëve për sa i përket qëllimit keqdashës të Kinës".
Disa analistë thanë se e mirëpritën tonin kryesisht jo-luftarak dhe të pavarur nga senatorët republikanë dhe demokratë gjatë seancës.
"Mendoj se ka një dëshirë për kthimin tek një lloj debati më normal në lidhje me politikën e jashtme përkundër asaj ku njerëzit, veçanërisht në Kongres, ndoshta nuk ishin këshilluar as me administratën Trump apo administratën Obama. Një përpjekje e vërtetë për të pasur një lloj të ri dialogu për politikën e jashtme dhe për ta bërë atë më pak kaotike dhe më pak të paqëndrueshme siç e kemi parë gjatë dy viteve të fundit”, thotë Brian Katulis me Qendrën për Progresin Amerikan.
Shumica e senatorëve duket se janë dakord me një tjetër analist mbi përvojën e zotit Blinken në politikën e jashtme si ish-zëvendës sekretar shteti.
“Për mendimin tim Antony Blinken është një njeri me përvojë dhe i aftë që sjell njohuri të thella për shumë çështje me të cilat përballemi. Kështu që do të prisja dhe shpresoj që ai të konfirmohet në një votim dypartiak pa shumë vonesa”, thotë Bradley Bowman me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
Disa senatorë thanë se shpresonin për një votim të shpejtë në Senat për të konfirmuar zotin Blinken sepse sfidat me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara, përfshirë çështjet me Iranin, Kinën, Rusinë dhe Korenë e Veriut, nuk presin.
Facebook Forum