Lidhje

Qindra rusë në paraburgim pas protestave në mbështetje të Navalny-t


Drejtuesi i opozitës ruse Alexei Navalny u arrestua një javë më parë pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku ai qëndroi disa muaj për t’u kuruar pas helmimit që gati çoi në vdekjen e tij. Zoti Navalny fajëson qeverinë ruse për helmimin e tij, por Kremlini e mohon. Ndërkohë policia ruse shtypi protestat e organizuara gjatë fundjavës ku kërkohej lirimi i tij. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Charles Maynes njofton nga Moska.

Arrestime...pas arrestimesh…pas arrestimesh.

Të shtunën u arrestuan më shumë se 3,000 protestues.

Autoritetet kishin premtuar një përgjigje të ashpër duke argumentuar se protestat ishin jo vetëm të paligjshme, por një rrezik për shëndetin publik për shkak të koronavirusit.

Në sheshin Pushkin në qendër të Moskës, demonstruesit kishin dalë për të kërkuar lirimin e udhëheqësit të opozitës Alexey Navalny, i burgosur pas kthimit në Rusi vetëm disa muaj pasi u helmua me një agjent nervor, që gati i mori jetën.

Disa protestues kërkonin ndryshim pas pushtetit dhjetra vjeçar të presidentit Vladimir Putin.

"Kurrë nuk kam parë një president tjetër në vendin tim, jam 24 vjeçe dhe jam disi e lodhur", i tha Ksenia, një demonstruese në Moskë, Zërit të Amerikës.

“Nëna dhe babai më thanë, 'Jo, Kariel, nuk duhet të shkosh në protesta, nuk duhet të ngrihesh kundër Putinit pasi nuk mundesh’”, i tha Zërit të Amerikës Kariel, një demonstruese.

“As unë nuk kam frikë ashtu si Navalny,” shkruhet në një pankartë.

Mitingje të ngjashme u zhvilluan në mbarë vendin, në qytete të largëta si Khabarovsk, Irkutsk dhe Vladivostok ndërsa Kremlini minimizoi numrin e protestuesve që dolën të shtunën.

Protestuesit madje dolën në rrugë në veriun e largët, në Yakutsk ku temperatura shënoi minus 50 gradë Celsius.

Pjesëmarrja tregon se mesazhi i Navalny-t kundër korrupsionit i përhapur në rrjetet sociale - po përhapet tek të gjithë, veçanërisht tek të rinjtë, pavarësisht përpjekjeve të Kremlinit për ta etiketuar atë si politikisht të parëndësishëm, apo si një mashtrues të mbështetur nga Perëndimi.

Ajo që nuk është e qartë është nëse protestat do të ndryshojnë fatin e Navalny-it.

Udhëheqësi i opozitës po mbahet aktualisht në një burg të Moskës për shkelje të pretenduara të një lirimi me kusht.

Por ai përballet me mundësinë e një dënimi më të gjatë me burg, për ato që Navalny dhe mbështetësit e tij thonë se janë akuza të trilluara.

“Mënyra se si e morën dhe se si e arrestuan ishte plotësisht në kundërshtim me ligjin rus. Në kundërshtim me kushtetutën. Dhe kur mund ta bëjnë këtë me një person si ai, që ka miliona ndjekës, mund ta bëjnë shumë lehtë me ne", thotë Ilya, për Zërin e Amerikës.

Autoritetet filluan hetime të reja penale kundër disa protestuesve që ata thonë se sulmuan policinë. Ndaj tyre mund të pasojnë dënimet me burg.

Taktika e qeverisë ka funksionuar në të kaluarën për të shtypur zërat opozitarë në vend.

Sa e efektshme do të jetë kjo taktikë këtë herë, është një pyetje në mendjet e shumë njerëzve.

Mbështetësit e Navalny-t thotë se demonstratat do të vazhdojnë për sa kohë që lideri i opozitës të mbetet pas hekurave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG