Lidhje

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut zgjedh Avokatin e Popullit


Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e miratoi të hënën Naser Ziberin për detyrën e Avokatit të Popullit. 61 deputetë votuan pro, sikurse 26 nga 41 deputetët e komuniteteve joshumicë. Ligjvënësit opozitarë nuk morën pjesë në votim.

Opozita, si maqedonase ashtu edhe ajo shqiptare këmbëngulën që Avokati i ri i Popullit të mos jetë një personalitet politik, por një profesionist i pavarur që ka autoritet në publik mbi angazhimet rreth të drejtave të qytetarëve. VMRO-ja dhe Aleanca për Shqiptarët me Alternativën ishin mjaft kritike sidomos për faktin se zoti Ziberi ishte kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim për kryeministër të Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2020.

Opozita e quajti “pazar, shpërblimi që partia qeverisëse (BDI) i jep zotit Ziberi për shërbimin e tij me pranimin e kandidaturës si kryeministër i parë shqiptar”.

Opozita vlerëson se zoti Ziberi nuk do të ketë besimin e popullit dhe nuk do të mund t’i mbrojë interesat e qytetarëve mbi shkeljet që mund të ndodhin nga institucionet e drejtuara nga funksionarë të BDI-së.

Ndërkohë, BDI-ja e mbrojti të propozimin e saj duke thënë se zoti Ziberi i plotëson të gjitha kushtet dhe se fakti që ka qenë kandidat për kryeministër nuk e përjashton nga ky proces.

Në fillim të viteve ’90, para se të hynte në politikë Naser Ziberi ka qenë gazetar. Më pas ai u bë deputet e më pas ministër nga radhët e Partisë për Prosperitet Demokratik. Ai u largua nga politika në vitin 2002, për të ushtruar profesionin e noterit.

Zoti Ziberi pason Ixhet Memetin, i cili për gjashtëmbëdhjetë vjet ishte Avokat i Popullit. Edhe zoti Memeti më parë ishte funksionar nga radhët e PPD-së dhe ministër (i Drejtësisë) i BDI-së. Mandati i Avokatit të Popullit zgjat 8 vjet me mundësi rikandidimi për një mandat të dytë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG