Lidhje

Bizneset britanike përballë problemeve të krijuara nga Brexit


Mbështetësit e daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian patën thënë se kjo do të ofronte mundësi ekonomike jashtë bllokut. Por disa javë pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian në fund të vitit 2020, shumë biznese thonë se po përballen me probleme të konsiderueshme dhe kosto shtesë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell sjell më shumë hollësi nga Londra.

Bizneset britanike përballë problemeve të krijuara nga Brexit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Peshkimi luajti një rol të rëndësishëm në betejën që çoi në marrëveshjen e Brexit-it në dhjetor. Sipas marrëveshjes, një e katërta e të drejtave të peshkimit të anijeve evropiane në ujërat britanike do të kalojë tek britanikët gjatë pesë viteve të ardhshme.

Peshkatarët në Cornwall në jug të Anglisë thonë se kjo nuk mjafton. Kryeministri Johnson, thonë ata, u premtoi kontroll të plotë të ujrave britanike.

Phil Mitchell, kapiteni i peshkarexhës ‘Govenek of Ladram’ thotë se ndihet i zhgënjyer nga marrëveshja.

“Jemi më keq se para Brexit, sepse është shkruar se ne nuk do të jemi në gjendje të rimarrim kontrollin e ujrave. Është thjesht një nëpërkëmbje, Borisi na tradhëtoi dhe na la në baltë.”

Pothuajse gjysma e sasisë së peshkut të kapur nga anijet britanike eksportohet në Bashkimin Evropian, një tregti me vlerë 1.8 miliardë dollarë në vitin 2019. Por Brexit ka risjellë doganat, dokumentet, vonesa dhe kosoto. Disa firma eksporti protestuan para parlamentit kohët e fundit.

Allan Miller, pronari i kompanisë ‘AM Shellfish’ thotë se është i irrituar me situatën e krijuar.

“Peshqit e gjallë duhet të shiten brenda afatit të caktuar. Nëse qeveria nuk bën diçka për këto biznese, ne do të falimentojmë.”

Kryeministri Boris Johnson këmbëngul se gjërat do të rregullohen.

“Për probleme të tilla ku njerëzit nuk mbushin dokumentet e duhura ose ka keqkuptime, kur nuk është faji i tyre, patjetër që ne do t’i kompensojmë dhe do t’i ndihmojmë me fonde të përcaktuara për këto raste. Mos të kemi dyshim, sepse ka mundësi të mëdha për peshkatarët britanikë që të përfitojnë nga pasuria spektakolare detare e Mbretërisë së Bashkuar.”

Por nuk është vetëm industria e peshkut që po përballet me probleme. Sektorë të tjerë paralajmprojnë për probleme të konsiderueshme. Rregullat e reja të taksave kanë bërë që disa shitës evropianë të ndalojnë tregtinë me klientët britanikë. Disa kompani transporti kanë ndërprerë operacionet e tyre me Britaninë. Edward Velasco është menaxher importi me kompaninë Rodanto.

“Nëse kamionët nuk lëvizin, ata humbasin para. E njëta gjë është edhe për ne.”

Supermarketet në Irlandën e Veriut janë përballur me mungesa për shkak të kontrolleve shtesë të dërgesave nga Britania e Madhe.

Por a janë këto probleme të ndërlidhura? Apo pasoja të pashmangshme të vendimit të Britanisë për të dalë nga blloku? Analisti Rem Korteweg thotë se kjo varet nga sektorët.

“Pikëpyetja e ‘grupimit’ me të cilën përballen transportuesit, ku u duhet të plotësojnë dokumente për çdo kuti këpucësh apo koli në kontenierë, këto mund të thjeshtëzohen. Aty ku nuk mendoj se po përballemi me probleme të ndërlidhura, dhe gjërat janë shumë më strukturore, përshembull kontrollet shëndetësore dhe sanitare apo siguria ushqimore, krahasuar me eksportin e peshkut. Sepse kjo është pasoja e largimit nga tregu i përbashkët, dhe tani kemi një kufi rregullator, doganën.”

Britania këmbëngul se Brexit do të ofrojë mundësi ekonomike jashtë Bashkimit Evropian. Kësaj strategjie iu dha një shtysë ditë më parë kur prodhuesi japonez i automjeteve Nissan u zotua të vazhdojë prodhimin e makinave në Britani dhe të investojë miliona dollarë për ndërtimin e një fabrike baterishë për makinat elektrike.

Por për bizneset e tjera që vuajnë mes pandemisë, Brexit deri tani ka sjellë kosto të lartë dhe pak përfitime.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG