Përfundimi dramatik i mandatit të Presidentit Trump dhe gjyqi i pritshëm kundër tij e kanë përçarë Partinë Republikane. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee shpjegon se jo të gjithë ata që votuan për zotin Trump prezantohen si republikanë dhe jo të gjithë republikanët thonë se mbështesin zotin Trump.
Tani që në Shtëpinë e Bardhë ka një udhëheqje të re, republikanët në mbarë vendin po reflektojnë mbi mënyrën si përfundoi mandati i Presidentit Trump dhe për ato që priten:
“Ajo që ndodhi në Kapitol është e pafalshme,” thotë Chris Morris, specialist ndërtimi në Virxhinia.
65 kilometra nga Kapitoli ku u shpalosën skenat e dhunshme më 6 janar, ndodhet qyteza Hejmarket e Virxhinias. Chris Morris, imigrant nga Xhamajka, votoi për ish-Presidentin Trump.
“Mendoj se pjesa më e madhe e atyre që sulmuan Kapitolin e bënë në emër të zotit Trump, në mbështetje të tij. Kjo ka thelluar përçarjet në vend,” thotë zoti Morris.
Demokratët e akuzojnë zotin Trunp se nxiti dhunën në Kapitol duke përsëritur pretendimet e pabaza se zgjedhjet u vodhën. Ja si reagoi ai pas incidentit:
Donald Trump, ish-president i Shteteve të Bashkuara
“Këto zgjedhje u manipuluan, por nuk mund të biem në kurthin e tyre. Duhet të ruajmë paqen”.
Zoti Morris mbështet vendimin e ligjvënësve republikanë që votuan për ngritjen e akuzave.
“Mendoj se ishin të revoltuar nga fakti që dikush me autoritetin që kishte zoti Trump nuk veproi aspak si i takon një presidenti”.
“Mendoj se zoti Trump dha një përgjigje shumë të dobët,” thotë Aaron Sewell, mësues në Ajova. Ai tregon se nuk votoi për zotin Trump dhe fajëson përkrahësit e tij për dhunën në Kapitol.
“Revoltimi i tyre arriti një pikë kulmore, ashtu siç ndodh kur je i zemëruar dhe nuk i mendon mirë veprimet që po bën”.
“Mendoj se qëllimi ishte edhe më i keq se ngjarjet,” thotë Debora Tilger, fermere nga shteti Uashington dhe përkrahëse e ish-Presidentit Trump.
“E organizuan sulmin që ta bëjnë presidentin të duket keq,” thotë zonja Tilger.
“Mendoj se sulmi ishte planifikuar nga demokratët,” thotë pensionisja nga Ajova, Mary Lyn Clark. Ajo nuk beson se protestuesit ishin përkrahës të Presidentit Trump.
“Besoj se mes tyre mund të ketë pasur ekstremistë,” thotë zonja Lyn Clark.
“Jetojmë në një klimë shumë të polarizuar,” thotë Cristina Morcom nga Teksasi. Ajo sheh pika të përbashkëta në skenat e Kapitolit dhe demonstratat me thirrjet për drejtësi racore, ku pati njerëz që nxitën kaos e kryen akte vandalizmi.
“A ishin vërtetë përkrahës të zotit Trump apo ishin të veshur si përkrahës të presidentit për të diskredituar republikanët? Mendoj se çdo gjë është e mundur në këtë klimë politike,” thotë Cristina Morcom, e cila punon si shitëse e produkteve teknologjike.
“Mendoj se demokratët duan ta gjykojnë për të mos e lejuar të konkurrojë përsëri për post. Por mendoj se ai ia bëri vetes,” thotë pensionistja nga Kalifornia, Nancy Sheets.
“Nuk mendoj se duhet t’ia mbyllim çdo mundësi për të konkurruar për post publik në të ardhmen,” thotë Cristina Morcom.
Pikëpamjet e ndryshme për ngjarjet në Kapitol dhe për ish-Presidentin Trump pasqyrojnë përçarjen në vend si dhe brenda Partisë Republikane.
“Partia Republikane e gjen veten brenda një lufte të brendshme partiake mes konservatorëve të traditës dhe elementëve më “modernë,” pro-Trump, elementëve populistë,” thotë Matthew Wiltshire, konsulent republikan.
Por të gjithë ata mendojnë se ish-presidenti duhet liruar nga akuzat.
“Nëse votojnë për ta shpallur fajtor do t’i thellojnë përçarjet,” thotë Chris Morris.
“E gjithë kjo është shpërdorim i fondeve qeveritare,” thotë Nancy Sheets.
Zonja Sheets dhe bashkëshorti i saj thonë se ka ardhur koha për ta lënë pas këtë temë dhe për t’iu kthyer punës legjislative.
Facebook Forum