Lidhje

Fatura e lartë e Lojërave Olimpike të Tokios forcon thirrjet për reforma


Kur Tokio u zgjodh si vendi pritës i Lojërave Olimpike Verore të 2020, organizatorët u ngazëllyen. Ngjarja do të shërbente si një mundësi për përftime, duke i treguar botës se Japonia e kishte kapërcyer periudhën e saj të gjatë të amullisë ekonomike dhe dëmeve të shkaktuara nga katastrofa bërthamore e Fukushimës.

Por gjërat nuk rrodhën ashtu siç ishin planifikuar dhe jo vetëm për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila detyroi shtyrjen e Lojrave Olimpike me një vit.

Mes tyre ishte propozimi i kushtueshëm për stadiumin kryesor olimpik në Tokio, i cili u hodh poshtë pasi u qesëndis gjerësisht sepse ngjante me një helmetë biçiklete gjigante, një anije kozmike ndërgalaktike dhe një "breshke që dukej se priste që Japonia të fundosej, në mënyrë që ajo të notonte larg".

Logoja origjinale e Lojërave Olimpike të Tokios, u desh të hiqej pas akuzave për plagjaturë, pasi ngjante me emblemën e një teatri në Belgjikë.

Ndërkohë këtë javë presidenti i komitetit organizator të Lojërave Olimpike të Tokios, tha se mund të japë dorëheqjen pas kritikave për komentet e tij të fundit se gratë flasin shumë në mbledhjet e bordit.

Dhe sigurisht shtyrjet për shkak të koronavirusit, që siç thonë organizatorët do të kushtojnë gati 3 miliardë dollarë.

Sipas disa vlerësimeve, Japonia do të ketë shpenzuar deri në 35 miliardë dollarë për të pritur Lojërat Olimpike, duke tejkaluar thellësisht buxhetin origjinal prej 7.5 miliardë dollarësh. Organizatorët e kundërshtojnë këtë shifër tejet të madhe, duke thënë se shumë prej këtyre shpenzimeve janë për projekte që nuk lidhen drejtpërdrejt me lojërat.

Sipas disa sondazheve shumica e qytetarëve japonezë duan tashmë që lojrat të anulohen ose të shtyhen. Shumë prej tyre druhen se ato mund të shërbejnë si një ngjarje, që mund të shkaktojë përhapjen në masë të COVID-19.

"Kjo ishte një katastrofë prej fillimit, madje edhe para COVID-it", thotë Victor Matheson, një ekspert mbi financat në sport i cili përqendrohet tek Lojërat Olimpike.

Situata ka forcuar edhe më shumë thirrjet për ndryshime rrënjësore në mënyrën se si qytetet i zhvillojnë Lojërat Olimpike. Aktualisht shumë i shohin lojërat si një kurth për borxhe për qytetet pritëse, duke rezultuar në godina sportive dhe ambiente të tjera, që shpesh mbeten bosh, ose përdoren pak pas përfundimit të lojërave.

"Tokio është sigurisht një gozhdë më shumë në arkivol, për mënyrën se si janë organizuar tradicionalisht lojërat”, thotë në mënyrë figurative zoti Matheson, profesor në Kolegjin e Kryqit të Shenjtë në Masaçusets.

Buxheti i Lojërave Olimpike


Sipas një studimi të fundit të Universitetit të Oksfordit në Britani, Lojërat Olimpike të Tokios janë lojërat më të shtrenjta verore të organizuara ndonjëherë.

Por edhe kur vendet pritëse nuk e kanë për detyrë të gjejnë mënyra mbi mbajtjen e lojërave gjatë një pandemie globale, shpenzimet vazhdimisht dalin jashtë kontrollit.

Studimi i Oksfordit zbuloi se çdo Olimpiadë, që nga viti 1960 e ka tejkaluar buxhetin me një mesatare prej 172%.

Disa shembuj famëkeq

Sipas studimit të Oksfordit në vitin 1976, Montreali tejkaloi buxhetin e tij origjinal me 720% dhe shpenzoi tre dekadat e ardhshme për ta paguar.

Lojërat Verore të Athinës të vitit 2004 kushtuan sa dyfishi i buxhetit fillestar dhe u përmendën shpesh si kontribuese, të paktën për një pjesë, të krizës më të madhe financiare të Greqisë.

Lojërat e Rio de Zhanerios të vitit 2016 u zhvilluan gjatë një krize ekonomike kaq të fortë saqë guvernatori i Rios shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të siguruar fonde për aktivitetin.

Më pak vende ofrohen për të pritur lojërat


Histori të tilla ndihmojnë në shpjegimin e një rënie të vazhdueshme të numrit të vendeve që bëjnë ofertë për të pritur Lojërat Olimpike.

Shifrat janë mbresëlënëse: ndërsa Olimpiada e 2004 tërhoqi 11 oferta, ky numër u zvogëlua në pesë për ngjarjen e 2020. Për lojërat e vitit 2026, ishin vetëm dy kandidatë pas tërheqjes së një vale vendesh.

Mungesa e ofertave ishte aq e madhe saqë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) shpalli fituesit e lojërave të 2024 dhe 2028 në të njëjtën kohë.

"Ata ishin të shqetësuar me të drejtë se askush nuk do të konkurronte për Lojërat Olimpike të 2028", thotë Matheson.

Kriza e borxhit pasojë e COVID-it


Kriza e ofertave mund të kërkojë kohë që të përmirësohet, veçanërisht pasi qeveritë po përballen me borxhe të pashembullta të lidhura me pandeminë.

Borxhi global është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, ndërsa qeveritë në mënyrë agresive rritën shpenzimet për të kufizuar ndikimin te pandemisë mbi ekonominë. Sipas një vlerësimi nga Instituti i Financave Ndërkombëtare, borxhi në të gjithë botën u rrit me mbi 17 trilionë dollarë, duke shënuar vitin e kaluar nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 275 trilionë dollarësh.

Me frenimin e stimujve ekonomikë, qeveritë mund të bëhen më të kursyera, vë në dukje gazeta e Oksfordit.

"Post-COVID-19, oreksi dhe aftësia që qeveritë të hyjnë në borxhe të mëtejshme ose të paguajnë një subvencion për të financuar Lojërat Olimpike do të jenë të ulta dhe presioni për të mbajtur kostot e ulta do të jetë i lartë", përfundoi ai.

Ndryshimet e mundshme

Çfarë mund të bëhet për t'i ndrequr gjërat?

Andrew Zimbalist, autori i “Circus Maximus: Kumari Ekonomik Pas Organizimit së Lojërave Olimpike dhe Kupës së Botës”, ka disa sugjerime.

Profesori i ekonomisë propozon përcaktimin e qytete pritëse të përhershme për lojërat e verës dhe dimrit, ose nëse kjo nuk do të funksiononte, të caktoheshin disa vende që do të funksiononin me rotacion.

"Në këtë mënyrë nuk do të duhej të rindërtoheshin vende perfekte çdo katër vjet në një vend tjetër në botë, çka nga pikëpamja financiare dhe mjedisore është shumë e kushtueshme", thotë ai.

Zoti Zimbalist thotë gjithashtu se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar duhet të kontribuojë duke u dhënë më shumë para qyteteve ku mbahen lojërat.

Sa i takon Tokios, shumica e faturës do të rëndojë mbi taksapaguesit japonezë. Rreth 5.6 miliardë dollarë të buxhetit të Tokios janë para nga subjekte private, përfshirë 1.3 miliardë dollarë nga KON. Organizata ka premtuar gjithashtu edhe 650 milionë dollarë të tjerë për të mbështetur shtyrjen e aktivitetit.

Një fushë tjetër e reformave të mundshme, sipas analistëve, janë të ardhurat televizive të lidhura me lojërat olimpike, të cilat në pjesën dërrmuese i shkojnë KON-it.

"Dikur Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ndante pjesën më të madhe të të ardhurave televizive me qytetin pritës, rreth 70-80% të tyre", thotë zoti Zimbalist. "Këto ditë, ata po ndajnë rreth 20% të tyre".

Ndërsa KON-i i shet të drejtat televizive, organizatorët japonezë shesin biletat. Por kjo nuk do ta ndihmonte shumë Japoninë, veçanërisht nëse siç pritet, pak ose aspak tifozë, do të lejohen të marrin pjesë gjatë zhvillimit të lojërave.

Përgjigjja e KON-së

Në një email, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e mbrojti qëndrimin e tij, duke treguar reformat e fundit që kishin ndërmend të shkurajonin qytetet pritëse nga ndërtimi i vendeve të panevojshme për mbatjen e aktivitetit.

"Garat duhet të mbahen në ambiente ekzistuese të përshtatshme, edhe nëse kjo do të nënkuptonte mbajtjen e ngjarjeve në qytete, rajone ose vende të ndryshme", thuhej në një postim elektronik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Për lojërat 2024, 2026 dhe 2028, më shumë se 90% e vendeve do të jenë ekzistuese ose të përkohshme, thuhet në deklaratë.

"Për shkak se KON-i është një organizatë jofitimprurëse, 90 për qind e të ardhurave nga Lojërat Olimpike shkojnë drejt zhvillimin të sportit e mbështetjes së atletëve", shton deklarata.

Por për Tokion kjo mund të jetë tepër vonë, thotë zoti Zimbalist.

Ata shpresonin për një nxitje të marrëdhënieve me publikun nga mbajtja e lojërave. Ndoshta ata mund të shpëtojnë një pjesë të kësaj”, thotë ai duke shtuar se: "është shumë e qartë që investimi prej 35 miliardë dollarësh do të humbasë, në një mënyrë apo një tjetër. Ata s’kanë shumë mundësi për ta ndryshuar një gjë të tillë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG