Lidhje

Dajç, banorët të shqetësuar për dëmet e shkatuara nga përmbytjet


Dajç, banorët të shqetësuar për dëmet e shkatuara nga përmbytjet
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00

Megjithë ndërprejen e përkohëshme të rreshjeve, situata në zonën e përmbytur të Nënshkodrës vazhdon të jetë e rënduar për shkak të pranisë së ujit në rreth 3800 hektarë tokë bujqësore si dhe një numëri të madh banesash. Vetëm në Njësinë Administrative të Dajçit gjenden të përmbytura 1550 hektarë tokë bujqësore dhe 121 banesa janë me prani të ujit në oborret e tyre. Kur po mbushet gati një muaj nga fillimi i përmbytjeve në Shkodër, banorët thonë se tashmë dëmi i shkaktuar është tejet i madh.

Fermeri Agustin Zadrima banon pranë Aurelave të Dajçit, ku edhe ka fermën e tij me 36 lopë. Ai thotë se, për shkak të vazhdimit të përmbytjeve, gjithnjë e më shumë po bëhet i pamundur ushqimi i tyre.

"Situatën e kemi shumë problem për punën e blegtorisë. I thonë 26, 27 ditë sot. Gjithçka është e mbytur në ujë. Kërkojmë ndihmë vetëm për ta, se ne nuk e kemi problem jetesën. Po na shkatrrojnë me shkarkimin nga hidrocentralet".

Tris herë në ditë Agustini lundron me varkën e tij për në vendin ku ka ushqimin e lopëve dhe ku, megjithë kujdesin e tij, uji thuajse e ka mbuluar duke e bëre gati të papërdorshëm për ushqimin e bagëtive.

I shqetësuar për fatin e fermës së tij, ku ka investuar me të gjithë familjen, Agustini thotë se askush nuk i informon se deri kur do të zgjasë përmbytja e tokave te tyre, ndërkohe që kërkon mbështetje të ngutshme nga qeveria për bazën ushqimore për bagëtitë.

"Ky është ushqimi që ha gjëja e gjallë sot për sot. Të vijë një zooteknik për të parë është e këshillueshme për t'jua dhënë lopëve? Mund të vijë prej bazës së bujqësisë, që marrin rrogën për këtë punë".

Mes 121 banesave të rrethuara nga uji është edhe ajo e Vitore Maçajt në fshatin Shirgj të Dajçit. Vitorja thotë se, nga dita në ditë, situata e tyre sa vjen e përkeqësohet dhe se dëmi në banesë, në të mbjellat dhe në bagëti është shumë i madh.

"Një muaj që jemi në ujë kështu edhe nuk vjen kush për atë punë për të na pyetur. Vijnë deri tek ura, shohin kanalin edhe ikin e shkojnë".

Njësia Administrative e Dajçit, me 11 fshatra, është ndër më të rëndësishmet në zonën fushore të Nënshkodrës, me ndikim të ndjeshëm në prodhimin bujqësor dhe blegtoral. Por, që nga viti 2010, kur Nënshkodra u përfshi nga përmbytjet masive, zona vazhdon të vuaj pasojat e përmbytjeve thuajse të përvitshme. Administratori i kësaj njësie, Gjovalin Darragjati, thotë se situata vazhdon të përkeqësohet për shkak të pranisë së ujit në një pjesë të madhe të territorit të Dajçit.

"Kena ferma edhe me 200 krerë të trasha si dhe miniferma me 30, që ju ashtu vështirësu jashtëzakonisht ekzistenca, sepse e kanë të pamujtun me përballu vetëm me blerjet e tyre furnizimin me bazë ushtimore".

Përveç dëmeve në bujqësi dhe blegtori, edhe infrastruktura e zonës ka pësuar dëmtime të konsiderueshme. Bashkia e Shkodrës vazhdon të përsërisë kërkesën drejtuar qeverisë për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në Dajç dhe Anë të Malit, për të mundësuar dëmshpërblimin e banorëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG