Teherani tha të hënën se gjendja e bllokuar e marrëveshjes bërthamore për Iranin mund të zgjidhet, duke sugjeruar që Evropa të ndihmojë Iranin dhe Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin hapa për t'u kthyer në marrëveshje. Henry Ridgwell i hedh një vështrim të ardhmes së marrëveshjes së vitit 2015.
Deri tani, Irani kishte këmbëngulur që Shtetet e Bashkuara të hiqnin sanksionet ekonomike të vendosura nga ish-Presidenti Donald Trump, para se të shikonin mundësinë për t’iu përmbajtur kushteve të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 duke ndalur pasurimin e uraniumit.
Por Ministri i Jashtëm i Teheranit Mohammed Javad Zarif i tha televizionit CNN të hënën se Irani mund të bjerë dakord që dy vendet të ndërmarrin hapa të sinkronizuara me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell.
Uashingtoni nuk i është përgjigjur ende kësaj ideje. Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara mund të rikthehen në marrëveshjen e vitit 2015.
"Nëse Irani respekton plotësisht detyrimet e tij të marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do të bënin të njëjtën gjë," tha Sekretari Blinken.
Retorika për Iranin mund të ketë ndryshuar nën Presidentin Joe Biden. Por tensionet mbeten të larta.
Javën e kaluar, bombardues amerikanë B52 fluturuan mbi Gjirin Persik, me synimin sipas Komandës Qendrore, për të ‘shfaqur angazhimin e SHBA ndaj sigurisë rajonale.
Veprimi erdhi pas njoftimit të Iranit se kishte prodhuar 17 kilogramë uranium të pasuruar në masën 20 për qind, një hap më afër pasurimit prej 90 për qind që mund të përdoret për armë bërthamore.
Shtetet e Bashkuara besojnë se Irani është tre deri në katër muaj larg grumbullimit të materialit të mjaftueshëm për të krijuar bombën bërthamore. Të martën, Izraeli vlerësoi se kjo kohë është gjashtë muaj.
Në vitin 2018, Presidenti i atëhershëm Donald Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore, duke përmendur si arsye programin iranian të raketave dhe mbështetjen për terrorizmin.
Aleatët në Evropë po bëjnë presion që Shtetet e Bashkuara të rikthehen në marrëveshje. Kina dhe Rusia gjithashtu e mbështesin marrëveshjen.
"Në Evropë, ekziston një shpresë e madhe që marrëveshja për Iranin të ringjallet. Së pari, është angazhimi global ndaj multilateralizmit. Dhe së dyti, është fakti që tani ekziston një dritare me të vërtetë e rëndësishme, një shans më i fortë për rifillimin e marrëveshjes,” thotë Erica Moret, e Qendrës së Qeverisjes Globale në Gjenevë.
Por kritikët thonë se administrata Biden gabon nëse synon të rikthehet në marrëveshje.
"Lindja e Mesme e vitit 2021 nuk është aspak ajo e vitit 2015 kur u negociua marrëveshja, ose e vitit 2018 kur SHBA doli prej saj. Dhe më e rëndësishmja: Irani është në shkelje të rëndë të kësaj marrëveshjeje. Irani shpreson të shfrytëzojë kohën, për t’iu afruar prodhimit të armës bërthamore. Ai po përpiqet të krijojë fakte në terren dhe ta shtyjë administratën Biden të kthehet sa më shpejt në marrëveshje, për të ofruar një zbutje të sanksioneve,” thotë Behnam Ben Taleblu, i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive.
Ish Presidenti Donald Trump vendosi sanksione të reja ndaj Iranit - pjesë e asaj që ai e quajti një fushatë presioni maksimal ’. Ato thjesht nuk funksionuan, thotë zonja Moret.
"Këto lloje masash që prekin një popullsi të tërë nuk mund të jenë veçse joproduktive dhe nuk ndihmojnë një qeveri si Shtetet e Bashkuara të arrijnë objektivat e saj të shpallura politike," thotë Erica Moret, e Qendrës së Qeverisjes Globale në Gjenevë.
Facebook Forum