Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Nuk ka ndryshim të politikës për Iranin


Shtëpia e Bardhë po e bën të qartë qëndrimin e saj ndaj Iranit pasi Presidenti Joe Biden la të kuptohej në një intervistë se Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin sanksionet deri sa Teherani të ndalojë pasurimin e uraniumit.

“Thjeshtë të jemi të qartë se presidenti nuk u shpreh ekzatësisht ashtu”, tha për shtypin të hënën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Në një intervistë televizive të transmetuar të dielën, Presidenti Biden tundi kokën në pajtim me gazetaren Norah O’Donnell të rrjetit CBS, kur u pyet mbi heqjen e sanksioneve dhe nëse Irani fillimisht duhet të ndalonte pasurimin e uraniumit në shkallë më të lartë se sa lejohet në marrëveshjen bërthamore me Iranin nga e cila Presidenti Trump e tërhoqi Amerikën.

“Mendoj se nëse ne do të njoftonim një ndryshim të madh të politikës, do ta bënim në një mënyrë tjetër në vend të pohimit me kokë”, tha zëdhënësja Psaki kur u pyet mbi qëndrimin e presidentit.

“Në përgjithësi, qëndrimi i tij mbetet pikërisht ai që ka qënë, që është se nëse Irani zbaton me përpikmëri detyrimet në bazë të marrëveshjes bërthamore, Shtetet e Bashkuara do të bënin të njëjtën gjë, dhe pastaj kjo do të përdorej si një platformë për të ndërtuar një marrëveshje më të gjerë dhe më të fortë që do të trajtonte fusha të tjera shqetësuese”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit po i bëjnë jehonë atij mesazhi ndërsa theksojnë se po e diskutojnë çështjen me aleatët, në vend që të kërkojnë dialog të drejtpërdrejtë me Teheranin.

Ned Price
Ned Price

“Kur bëhet fjalë për angazhimin me iranianët, akoma nuk jemi në atë fazë”, tha për gazetarët zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price të hënën. “Duam të sigurohemi që jemi në pajtim me miqtë tanë më të ngushtë, partnerët dhe aleatët më të afërt”, si dhe me Kongresin amerikan.

Presidenti Biden ka thënë se dëshiron që Shtetet e Bashkuara të rikthehen në traktatin bërthamor.

Kur u pyet direkt nga gazetrja e rrjetit CBS nëse Shtetet e Bashkuara do të hiqnin sanksionet së pari që Irani të kthehej në tryezën e bisedimeve, zoti Biden u përgjigj “Jo”.

Marrëveshja bërthamore e lejonte Iranin të pasuronte uranium në një nivel përqendrimi prej 3.67%. Por që nga mesi i vitit 2019 Irani e ka rritur shkallën e pasurimit në 4.5% dhe muajin e shkuar në masën 20% - një nivel që e kishte arritur para marrëveshjes.

Ekspertët thonë se Teherani ka uranium të pasuruar të mjaftueshëm të shkallës së ulët për të ndërtuar të paktën dy armë bërthamore, nëse vendos t’i prodhojë ato. Por zyrtarët iranianë, të cilët shikohen me skepticizën nga qeveritë perëndimore, kanë insistuar se programi bërthamor i Iranit ka qëllime paqësore.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollahu Ali Khamenei, tha në kanalin televiziv shtetëror se nëse Shtetet e Bashkuara duan që “Irani të kthehet tek zotimet e tij, Uashingtoni duhet të heqë praktikisht të gjitha sanksionet, pastaj ne do të bëjmë verifikimet për të parë nëse sanksionet janë hequr në mënyrë korrekte, dhe atëherë ne do të rikthemi tek angazhimet tona.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG