Lidhje

SHBA: Dënojmë ndalimin e transmetimeve të BBC-së në Kinë


Selia e BBC-së

Administrata e Presidentit Biden dënoi qëndrimin e Kinës, pasi Pekini ndaloi transmetimin e BBC-së në vend.

Qeveria kineze u shpreh kohët e fundit me kritika ndaj materialeve të transmetuara nga BBC-ja mbi pandeminë në Kinë dhe akuza të ngritura për përdorimin e punës me detyrim dhe abuzime seksuale në rajonin e Shigjiangut me popullatë ujgure si dhe grupe të tjera myslimane.

"Në mënyrë absolute dënojmë vendimin e Kinës për të ndaluar transmetimet e Shërbimeve Ndërkombëtare të BBC-së. Kina vazhdon të ketë një ndër hapësirat më të kontrolluara, më shtypëse në botë për informacionin. Ndërsa Kina bllokon operimin lirisht të grupeve mediatike, udhëheqësit e Pekinit përdorin mjediset e lira dhe të hapura për median në vende të tjera për të nxitur dizinformim. I bëjmë thirrje Kinës dhe vendeve të tjera me kontrolle autoritare mbi popullatë të lejojnë qasje të plotë për popullin e tyre në internet dhe media,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.

Zoti Price shtoi se Shtetet e Bashkuara besojnë se liria e medias “është një e drejtë e rëndësishme dhe kyçe për mirëinformimin e qytetarëve, që të shkëmbejnë lirisht idetë mes tyre dhe me udhëheqësit e tyre”.

Kina ndalon kanalin BBC World News

Kanali televiziv britanik BBC World News është ndaluar të transmetohet në Kinë, tha të premten Administrata Kombëtare e Radios dhe Televizionit kinez. Ndalimi vjen një javë pasi rregullatori i medias britanike i hoqi lejen e transmetimit televizionit shtetëror kinez.

Në një deklaratë të lëshuar natën e Vitit të Ri Hënor, administrata tha se nga një hetim doli se raportimet e BBC-së për Kinën në BBC World News kishin "shkelur rëndë" rregulloret, duke përfshirë atë që lajmet duhet të jenë "të vërteta dhe të drejta", kishin dëmtuar interesat kombëtare të Kinës dhe minuar unitetin kombëtar të saj.

Prandaj, thuhet në njoftimin e Kinës, BBC World News nuk plotëson kërkesat për kanalet e huaja që transmetojnë në Kinë dhe kërkesa e saj për një vit tjetër transmetimesh nuk do të pranohet.

BBC-ja tha se ishte e zhgënjyer me vendimin e autoriteteve kineze.

Ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab tha të enjten se vendimi i Kinës për të ndaluar kanalin BBC World News është i papranueshëm dhe dëmton imazhin e Kinës në botë.

"Kina ka disa nga kufizimet më të rënda mbi mediat dhe liritë e internetit në të gjithë globin, dhe ky hap i fundit nuk do të bëjë tjetër përveçse do të dëmtojë emrin e Kinës në sytë e botës," tha ai.

BBC World News që transmeton në gjuhën angleze nuk përfshihet në shumicën e paketave të kanaleve televizive në Kinë, por mund të shihet në disa hotele dhe rezidenca.

Dy gazetarë të agjencisë Reuters në Kinë konfirmuan se kanali nuk shihej më në ekranet e tyre.

Ndalimi i transmetimeve të BBC-së bëhet një javë që kur Pekini kërcënoi se do të hakmarrej, pasi autoritetet në Londër i hoqën liçencën e operimitnë Britani rrjetit shtetëror kinez CGTN.

Më 4 shkurt, rregullatori i medias britanike Ofcom i hoqi lejen kanalit China Global Television Network (CGTN) për të transmetuar në Mbretërinë e Bashkuar pasi një hetim zbuloi se leja mbahej padrejtësisht në pronësi të Star China Media Ltd.

XS
SM
MD
LG