Lidhje

Ekspertët e shëndetësisë nxisin shpërndarje të drejtë të vaksinave për COVID-19


Ekpertët e shëndetësisë thonë se furnizimi i vendeve në zhvillim me vaksina të mjaftueshme kundër COVID-it do të vazhdojë të jetë problematik. Ata shtojnë se nevojiten zgjidhje kolektive dhe se në mungesë të tyre mbarë njerëzimi përballet me rrezik.

Ekonomia globale mund të humbasë deri në 9 trilionë dollarë nëse vendet në zhvillim nuk marrin sasi të mjaftueshme vaksinash, thotë Anuradha Gupta me Aleancën Gavi.

Në një diskutim përmes lidhjes me internet të organizuar nga Qendra për Studime Strategjike e Ndërkombëtare, zonja Gupta argumenton se ndarja proporcionale e vaksinave është në interes të të gjithëve:

Koha është esenciale; çdo vonesë mund të nënkuptojë zgjatje të pandemisë dhe pasoja dërrmuese për mbarë botën. Infeksione të reja mund të sjellin shtimin e mutacioneve që do të kërkonte prodhimin e vaksinave të reja, të modifikuara, ndoshta aplikimin e dozave shtesë duke shpenzuar më shumë fonde, duke zgjatur periudhën e rimëkëmbjes ekonomike. E gjithë kjo sjell më shumë varfëri, uri dhe vdekje,” thotë zonja Gupta.

Vendet më të pasura kanë siguruar deri tani miliona doza dhe kanë filluar imunizimin e popullatës, ndërsa vendet më të varfra nuk kanë arritur të sigurojnë vaksina të mjaftueshme.

COVAX-i, i krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është një ndër nismat kryesore për të ndihmuar këto vende të sigurojnë vaksina.

Megjithëse kjo nismë ka siguruar fonde, ende ka mungesa thotë eksperti norvegjez John-Arne Røttingen.

John-Arne Røttingen emisar norvegjez për shëndetin global

Na duhen në total 27 miliardë dollarë për të financuar këtë program për 2021. Kjo është shumë e madhe, por e dimë se këto vende kanë shpenzuar 12 trilionë dollarë në paketa për stimulim ekonomik. Shuma për vaksinat është rreth 1/4 e paketave stimuluese”.

SHBA është tani pjesë e kësaj nisme dhe është zotuar të japë 4 miliardë dollarë si dhe vazhdon diskutimet për fonde shtesë. Jeremy Konyndyk është këshilltar për Agjencinë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.

Ka shumë rëndësi tani që po kalojmë nga zero angazhim në një angazhim të madh në mbështetje të COVAX-it, edhe vende të tjera donatore të ofrojnë fonde të ngjashme që të shtojmë nivelin e angazhimit nga të gjithë. E kemi thënë shpesh se nëse nuk jemi të gjithë të mbrojtur, askush nuk është i sigurtë. Këtë radhë kjo është shumë më tepër se një sllogan i thjeshtë, është thelbi i politikave kundër pandemisë".

Edhe pjesëmarrës të tjerë ndajnë të njëjtën bindje:

Edhe vendet që arrijnë imunitetin e tufës përmes vaksinimeve nuk do të jenë të mbrojtura nëse nuk është vaksinuar e gjithë popullata e botës,” thotë Krishna Udayakumar me Universitetin Duke.

Përveç fondeve kërkohen edhe përgatitje të tjera thonë ekspertët:

Përgatitja për vaksinim nuk fillon kur mbërrijnë vaksinat në aeroport. Duhet të miratohen politikat specifike, të krijohen kritere të qarta, të drejta dhe proporcionale. Të krijohet infrastruktura, logjistika, t’i komunikohen komunitetit këto përpjekje. Të gjitha këto përpjekje duhen bërë para se të mbërrijnë vaksinat,” thotë Mohammad Ali Pate me Bankën Botërore.

XS
SM
MD
LG