Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të dielën mbrëma se zgjedhjet e së dielës ishin një "referendum për drejtësi e punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit" që u fitua. "Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës".
"Nuk do të hakmerremi ndaj askujt por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj secilit dhe kudo, pra drejtësi pa hakmarrje. Kjo fitore nuk është për mua dhe as për lëvizjen Vetëvendosje, kjo është fitorja juaj prandaj secili prej nesh duhet të marr përgjegjësinë që ta bëjmë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë ashtu siç është i dashur për të gjithë", tha zoti Kurti.
Ai tha se bisedimet me Serbinë nuk janë përparësi. "Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi", tha ai në një paraqitje të përbashkët me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh kandidate për postin e presidentes.
Zonja Osmani tha po ashtu se "ky assesi nuk është një mandat për hakmarrje e po ashtu nuk është një mandat i kthimit prapa. Ky është kapitull i punëve që do të kryhen, është mandat kur ne nderojmë historinë tonë të përbashkët kur ne e garantojmë mirëqenien, e luftojmë me ngulm dhe pa kompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësisë dhe punojmë me zell të madh për barazinë".
Ajo tha se si presidente do të sigurohet që "interesi ynë nacional të jetë mbi gjithçka tjetër, që kushtetuta të jetë udhërrëfyes ynë i përhershëm, që aleancat tona me miqtë të ruhen dhe thellohen e mbi të gjitha do të jem zëri juaj i munguar për kaq shumë kohë dhe do të sigurohem që gjithnjë të demonstrojë përgjegjësi në mënyrë që nesër të gjithë ne të kemi kurajën për ta parë njëri tjetrin në sy. Nesër lind diell i ri për Kosovën dhe me të edhe mundësia e artë për ta realizuar ndryshimin e pritur për kaq kohë", tha ajo.