Në mbarë botën, vendet po rendin për të siguruar vaksina kundër COVID-19. Në Evropën Qendrore dhe Lindore shumë vende nuk kanë arritur të sigurojnë sasi të mjaftueshme në treg apo përmes nismës COVAX. Në takimin e fundit me vendet e nismës 17+1, Kina ofroi ndihmë duke premtuar të dërgojë doza të vaksinës së saj Sinovac. Ekspertët thonë se Kina po e shfrytëzon pandeminë për të thelluar influencën e saj në këtë rajon në kuadër të përpjekjeve për qasje në Bashkimin Evropian.
Vendet e Evropës Qendrore e Lindore po ndeshen me presion në rritje nga popullatat e tyre për vaksinim kundër COVID-it, por kanë qenë deri tani të paafta të blejnë në treg të hapur apo të sigurojnë sasi të mjaftueshme nga nisma COVAX. Angazhimi i Kinës duhet mirëpritur, thotë për Zërin e Amerikës Stephen Morrison i Qendrës për Studime Strategjike e Ndërkombëtare:
“Vendet më të fuqishme të Evropës e Amerikës së Veriut po i blejnë për vete të gjitha sasitë që gjejnë. Kinezët kanë ofruar ndihmë dhe tani po i bëjnë reklamë intensive vaksinës së tyre duke e përdorur si mjet diplomatik”.
Valbona Zeneli me Qendrën Evropiane Marshall për Studime mbi Sigurinë thotë se ndërkohë që përpiqet të krijojë linja të besimit të ndërsjelltë me këtë rajon, Pekini ka punuar paralelisht për të krijuar përçarje mes vendeve të Evropës Qendrore e Lindore dhe aleatëve të tyre perëndimorë, duke kritikuar BE-në se e braktisi rajonin gjatë pandemisë:
"Gjë që nuk është e vërtetë sepse siç kemi parë edhe në muajt e fundit (BE) ka qenë donatori kryesor së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sa i përket menaxhimit të kësaj situate, jo vetëm nga pikëpamja shëndetësore, por edhe ekonomike”.
Interesimi i Pekinit në rajon vazhton të shtohet, gjë që u pa edhe në takimin e fundit virtual me përfaqësues të nismës 17+1. Këtë radhë takimi u drejtua nga vetë presidenti Xi Jinping.
Kina ka intensifikuar ndjeshëm angazhimin me këtë rajon gjatë viteve të fundit duke ofruar investime të drejtpërdrejta, kredi për projekte publike, kryesisht në infrastrukturë si dhe me premtimet për shtimin e shkëmbimeve tregtare. Por shumë nga premtimet nuk kanë dhënë rezultate të dukshme në rritjen ekonomike apo hapjen e vendeve të punës. Projektet kanë zgjuar shqetësim për termat e kontratave dhe praktikat e punës që injorojnë standardet për mbrojtjen e punëtorëve apo të mjedisit.
"Siç ndodh rëndom jo vetëm në Ballkan por kudo që shohim influencën kineze, është shumë e paqartë dhe jo transparente cilat janë shifrat e kësaj ndihme dhe sa nga kjo ndihmë janë vërtetë donacione apo shitje. Këtë e pamë edhe në Itali: shuma të mëdha të cilat ishin reklamuar për publikun si ndihma, në të vërtetë ishin blerje të qeverisë italiane,” thotë zonja Zeneli.
Për shumë vende, angazhimi me Kinën duket se ka sjellë shtim të borxhit publik, pa garanci për përfitim të qartë për ekonominë përkatëse:
"Shumë nga këto projekte nuk kanë fizibilitet të përcaktuar ekonomik apo financiar nga Banka Botërore, megjithëse kryehen me paratë e qeverive të Ballkanit. Pra nuk janë investime të pastra, por hua që një ditë do të kthehen,” thotë zonja Zeneli.
Lidhur me import-eksportet zonja Zeneli nënvizon për Zërin e Amerikës se kompanitë kineze janë përfitueset kryesore të këtyre nismave, pasi kanë shtuar eksportet në Evropën Qendrore dhe Lindore, por nuk ka pasur një shtim të krahasueshëm të eksporteve nga rajoni në Kinë.
“Përsa u përket shkëmbimeve tregtare, vendet e Ballkanit duhet t’u bëjnë një analizë përfitimeve. Ajo që kemi parë gjatë viteve të fundit është se kemi një rritje të deficiteve tregtare të këtyre vendeve me Kinën”.
Kjo situatë pritet të ndryshojë në të mirë të vendeve evropiane, parashikon eksperti Morrison, duke shtuar se Kina aktualisht po përpiqet të reduktojë varësinë nga importet amerikane:
“Kina po përpiqet të ulë këtë varësi të thellë dhe të gjejë vende të tjera furnizuese. Ndoshta këtë radhë kinezët janë më seriozë kur flasin për shtimin e importeve nga Evropa Lindore dhe Qendrore”.
Zoti Morrison thotë se Kina shihet me skepticizëm si rezultat i mungesës së transparencës gjatë fillimit të pandemisë dhe pengesat për të lejuar hetime të hollësishme për origjinën e virusit. Eksperti thotë se disa vende nuk kanë pranuar ofertën për vaksina kineze, pasi shqetësohen se ky produkt nuk iu nënshtrua provave rigoroze si vaksinat e tjera.
“Ka një numër pengesash që ushqehen nga skepticizmi, nga mungesa e besimit dhe e transparencës. Fakti që këto produkte kineze nuk kanë kaluar provat rigoroze shkencore dhe analitike që kërkohen për të dëshmuar se janë efikase”.
Ai shpreson se vaksina kineze do të rezultojë e suksesshme, përndryshe dështimi do të ishte shkatërrimtar jo vetëm për reputacionin e Kinës:
“Dështimi i vaksinës mund të shkatërrojë besimin e publikut tek vaksinat. Kjo do të na kthente prapa, në vend që të shkojmë përpara drejt imunizimit të 75-80% të popullatës me një vaksinë efektive”.
Ekspertët theksojnë nevojën për një angazhim më të madh të Perëndimit për të garantuar se nismat e Pekinit në Evropën Qendrore e Lindore nuk shërbejnë për t’i siguruar Kinës një avantazh të padrejtë në tregun global, në kurriz të këtij rajoni në nevojë.
“Iniciativa legjislative në Bashkimin Evropian për një analizë të investimeve të ndryshme, sidomos për investime strategjike, ky lloj legjislacioni duhet patjetër të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor megjithëse nuk është ende pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo do të ishte mënyra që do të rriste transparencën e këtyre kontratave,” thotë zonja Zeneli.
Në Evropë dhe kudo tjetër ku Pekini po përdor fuqinë e tij ekonomike për rritje të influencës, ekspertët thonë se Kina nuk do të arrijë të krijojë frymën e besimit të ndërsjelltë nëse nuk dëshmon se është e gatshme të luajë sipas rregullave të tregut.
Facebook Forum