Lidhje

COVID 19, Meta akuza qeverisë për vaksinimin


Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta lëshoi sot sërish akuza të forta ndaj qeverisë për mënyrën e përballimit të pandemisë së COVID 19 dhe procesin e vaksinimit.

Presidenti Meta akuzoi qeverinë se “nuk ka një plan të qartë, transparent dhe të sigurt të furnizimit të popullatës me vaksina” e për pasojë sipas tij “vendi rrezikon një katastrofë epidemiologjike me pasoja të rënda për jetën e shëndetin e qytetarëve”.

Kreu i Shtetit kërkoi një rishikim të buxhetIt të Shtetit për t’I dhënë një mbështetje më të madhe sektorit të Shëndetësisë, pasi sipas tij “qendrat shëndetësore dhe shërbimet reanimatore nuk mund të lihen pa pajise jetëshpëtuese dhe pa barnat e domosdoshme”, sikundër dhe “mjekët e familjes dhe infermierët në qendrat shëndetësore nuk mund të lihen pa pajisje mbrojtëse” tha ai.

Qeveria nga ana e saj ka replikuar shpesh ndaj kritikave të ndryshme të kreut të Shtetit duke deklaruar se ai thjesht "po bën fushatë për ish partinë e tij Lëvizja Socialiste për Integrim".

Autoritetet kanë theksuar se i qëndrojnë planit për realizimin e vaksinimit të plotë brenda 14 muajsh. Deri më tani janë kryer 4177 vaksinime, ndërsa brenda muajit mars pritet të mbërrijnë afro 40 mijë doza të vaksinës Pfizer.

Rriten të shtruarit në spitale dhe viktimat në 24 orët e fundit

Situata e pandemisë në vend vijon të përkeqësohet, me një numër të rritur pacientësh në spitale dhe viktimash. Ministria e Shëndetësisë njoftoi pasditen e së premtes se në të 4 spitalet COVID të kryeqytetit dhe dy spitalet rajonale të Shkodrës dhe Durrësit po trajtohen 618 pacientë, numri më i lartë i rregjistruar deri më tani. Po ashtu, për herë të parë, rastet që trajtohen në terapi intensive arritën në 41 pacientë nga të cilët 12 janë të intubuar.

Edhe vdekjet në 24 orët e fundit shënuan numrin më të lartë, të rregjistruar vetëm një herë më parë në 5 dhjetor, me 19 viktima. Sipas njoftimit zyrtar bëhet fjalë për 5 qytetarë nga Tirana, 3 qytetarë nga Elbasani, 2 qytetarë nga Shkodra, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Përmeti, 1 qytetar nga Saranda, 1 qytetar nga Malësia e Madhe, 1 qytetar nga Gjirokastra, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Gramshi, 1 qytetar nga Lushnja, dhe 1 qytetar nga Lezha, të moshave 52-82 vjeç.

Edhe rastet e reja mbeten në nivele të larta, në mesataren e ditëve të fundit. Nga 3848 testime kanë rezultuar pozitivë 1071 persona në 49 bashki të vendit: 397 raste në Tiranë, 72 në Vlorë, 68 në Fier, 51 në Gjirokastër, 49 në Shkodër, 36 në Lezhë, 35 në Korçë, 34 në Kavajë, 33 në Elbasan, 30 në Krujë, 25 në Sarandë, 24 në Berat, nga 18 raste në Durrës, Lushnje, 15 në Devoll, nga 13 raste në Mallakastër, Kamëz, Mat, 12 në Delvinë, 10 në Kukës, 9 në Kurbin, nga 8 raste në Dibër, Peqin, Bulqizë, 7 në Has, nga 5 raste në Tropojë, Pogradec, Kolonjë, nga 4 raste në Librazhd, Tepelenë, Prrenjas, Gramsh, Kuçovë, Skrapar, nga 3 raste në Përmet, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Vorë, nga 2 raste në Mirditë, Ura Vajgurore, Shijak, dhe nga 1 rast në Pukë, Rrogozhinë, Selenicë, Memaliaj, Maliq, Patos, Cerrik, e Poliçan.

Edhe pozitiviteti është po ashtu sa mesatarja e javës së fundit (9 Shkurt - 15 Shkurt), në nivelin e 27.7 përqind, ndërsa një ditë më parë kishte kapur kuotën e 28.5 përqind.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG