Lidhje

Pandemia dhe shkelja e të drejtave në fokusin e Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut


Michele Bachelet
Michele Bachelet

Ndikimi i pandemisë në luftën kundër shkeljes së të drejtave të njeriut do të jetë në qendër të vëmendjes në sesionin e ardhshëm të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Sesioni katër javor fillon të hënën në Gjenevë dhe do të zhvillohet virtualisht në internet për arsye të pandemisë. Në tre ditët e para do të ketë diskutime të nivelit të lartë me përfaqësues nga 130 vende që do të lidhen virtualisht për të komentuar.

Sipas zyrtarëve të OKB-së, fjalimet pritet të përqëndrohen tek situata gjatë pandemisë. Kjo temë do të dominojë edhe diskutimet mbi racizmin dhe diskriminimin si dhe efektet e epidemisë tek përpjekjet për të luftuar këto fenomene.

Drejtori i organizatës Human Rights Watch, Kenneth Roth thotë se Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut duhet të analizojë se si qeveri të ndryshme e shfrytëzuan pandeminë si pretekst për të zgjeruar kontrollin duke goditur opozitën.

Ai sjell si shembull kryeministrin hungarez Victor Orban, i cili për një periudhë kohe mori në dorë kontroll të plotë duke qeverisur përmes dekreteve, pa akte legjislative nga parlamenti.

“Një tjetër shembull ishin zgjedhjet në Ugandë, ku Presidenti Musevani e përdori pandeminë si pretekst për të penguar fushatën e kundërshtarit, Bob Wine” tha zoti Roth. “Përdorimi i përsëritur i dhunës vdekjeprurëse, arrestimeve dhe rrahja e zotit Wine, shumë prej tyre bëheshin duke shfrytëzuar pandeminë si pretekst”.

Disa grupe pune do të diskutojnë dënimin me vdekje, të drejtat e fëmijëve dhe të individëve me aftësi të kufizuara.

Shefja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Michele Bachelet, ka paraqitur një raport me kritika të forta për mungesën e veprimeve nga Shri Lanka për të adresuar shkeljet e rënda në të kaluarën të të drejtave të njeriut.

Në diskutime përfshihet edhe grushti i shtetit në Mianmar si dhe dhuna në vende si Bjellorusia, Venezuela, Irani, Burundi e Koreja e Veriut.

Aktivistët për të drejtat e njeriut përshëndetën vendimin e Presidentit Biden për të kthyer SHBA si anëtare të Këshillit, afro tre vjet pasi ish-Presidenti Trump e tërhoqi vendin. Aktivistët thanë se shpresojnë që SHBA do të përdorë fuqinë e saj në arenën ndërkombëtare për të avancuar liritë themelore dhe sundimin e ligjit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG