Lidhje

Shqipëri, skadenca e dokumentave të identifikimit, Qeveria pritet të shtyjë afatin


Në Shqipëri, Qeveria pritet të vendosë për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike të cilat skadojnë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit.

Sipas opozitës janë pak më shumë se 1 milion qytetarë dokumentat e identifikimit të të cilëve, ose kanë skaduar ose skadojnë para datës së zgjedhjeve. Javën e shkuar Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht ministrisë së Brendshme, që afati i vlefshmërisë të shtyhet, duke kujtuar se një masë e ngjashme ishte marrë edhe para zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Sipas Partisë Demokratike “për shkak të natyrës urgjente ndërhyrja mund të bëhet me Akt Normativ, ku të parashikohet një dispozitë tranzitore në ligjin nr. 8952/2002, me përmbajtje si vijon: “Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike të shtetasve shqiptarë, të cilat janë lëshuar nga data 9.2.2009 dhe që përfundojnë brenda datës 25 Prill 2021, zgjatet deri në datën 30 Prill 2021”.

Si kryeministri Edi Rama ashtu dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuci lanë të kuptohet sot se do të mund të shkohet drejt këtij propozimi të opozitës. “Kur bëhet fjala për zgjedhjet, zgjedhjet janë të përbashkëta, rregullat e lojës janë të aprovuara bashkërisht dhe çdo propozim i arsyeshëm që secila palë bën dhe që është në interes të procesit zgjedhor, është i mirëseardhur. Bën sens dhe do të trajtohet me të gjithë seriozitetin e duhur në mënyrë që të gjitha palët në process të ndjehen të barabarta në raport me publikun dhe me rregullat e lojës”, tha kryeministri.

Pak më pas, ministri i Brendshëm Çuçi, i cili nisi para disa javësh një fushatë për sensibilizimin e qytetarëve që të pajiseshin me karta identiteti, deklaroi se po e shikon më vëmendje kërkesën e opozitës. “Unë jam në kontakt edhe me kryetarin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, për të parë dhe për të marrë edhe nga ata një opinion lidhur me këtë çështje. Sepse sigurisht do të lidhet me mënyrën sesi do të aplikohet teknologjia në zgjedhjet e radhës. Kështu që jemi në koordinim të plotë dhe unë mund t'i garantoj shqiptarët që askush nuk do të mbetet pa votuar për shkaqe që nuk varen nga vullneti i tyre”, siguroi ministri Çuçi.

Për herë të parë në zgjedhjet e 25 Prillit, për identifikimin e votuesve, do të zbatohet tekonologjia, përmes aparaturave që do të vihen në çdo qendër votimi, me synim për të shmangur votimin e dyfishtë me të njëjtin dokument identifikimi apo me dokumenta të falsifikuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG