Lidhje

Njohja digjitale e Kosovës – sfidë që po vazhdon


Kosova ditë më parë kremtoi përvjetorin e 13 të pavarësisë së saj, e cila deri tash është njohur nga më shumë se 100 shtete. Por, krahas rritjes së njohjeve shtëtërore sfidë për të mbetet njohja nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare të cilat sipas ekspertëve në Prishtinë janë po aq të rëndësishme për shtetësinë e Kosovës. Qytetarët që kanë hedhur nismat që përmes peticioneve digjitale të sigurojnë njohje nga këto kompani kritikojnë institucionet për mungesë të strategjisë për siguruar njohje të tilla.

Njohja digjitale e Kosovës – sfidë që po vazhdon
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:48 0:00

“Këto janë platforma me përmasa të mëdha, do të thotë kompanitë e tilla janë ekuivalente sikur të të njohë një shtet në një farë mënyre, sepse Netflix, tani më ka 200 milionë përdorues, do të thotë 200 milionë përdorues nga një xhirollogari ku mund ta shfrytëzojnë katër e veta, nëse e shumëzojmë atë do të thotë kemi 800 milionë përdorues në një kompani në të cilën ne nuk njihemi si shtet i pavarur dhe aq më keq njihemi nën Serbi, kjo gjë duhet të ndryshojë”, thotë Sovran Hoti. student i gjuhës angleze në Universitetin e Prizrenit, i cili ka filluar një peticion përmes platformës digjitale “change” për ta përfshirë Kosovën si shtet i pavarur në platformën Netflix, që merret me prodhimin filmave dhe shfaqjen e tyre në rrugë digjitale.

“Kjo ide fillimisht erdhi thjesht duke biseduar me kolegë të mi, u thash se lokacioni apo vendndodhja ime figuronte në Serbi dhe mora vesh që po ndodhte edhe te ta edhe në bisedë e sipër vendosa të marr një iniciativë frymëzuar nga peticioni i mëparshëm Apple Maps ku u njohën hartat e Kosovës”, tha ai.

Kjo nuk është kërkesa e vetme në Kosovë.

Tashmë janë shtruar kërkesa edhe për njohje nga sistemi i pagesave digjitale PayPal, që sipas ekspertëve të teknologjisë është shumë e rëndësishme për bizneset e vendit.

Këto kërkesa pasuan atë të vitit të kaluar ku afër 200 mijë nënshkrime në platformën e peticioneve digjitale, bënë që kompania Apple të fusë Kosovën në hartat e saj.

Kërkesës së studentit Sovran Hoti i janë bashkuar nëpërmjet rrjetit social Twitter edhe zyrtarë të institucioneve.

Por, këto thirrje sipas ekspertëve nuk mjaftojnë dhe duhet që institucionet të angazhohen përmes mekanizmave të ndryshme për të siguruar njohjen digjitale nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare.

Profesori i shkencave kompjuterike, Blerim Rexha, thotë se njohja nga këto kompani është e barasvlefshme me njohjet shtetërore.

“Njohja nga kompanitë Apple, Microsoft, Netflix, Amazon është po aq e rëndësishme sa njohjet nga shtetet e tyre, gjegjësisht shtetet e rëndësishme në botë sepse tregu i internetit nuk njeh kufij gjeografikë, nuk ka limitime që i kemi në jetën e përditshme dhe kjo tani po bëhet edhe pengesë për zhvillimin e bizneseve në Kosovë edhe për targetimi ne audiencës në Kosovë. Në shumë raste audienca në Kosovë targetohet si Serbi, Shqipëri dhe vendet fqinje dhe që tani ne nuk marrim produktin e dëshiruar për rajonin tone”, thotë profesori Rexha.

Drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, Sabri Kiçmari, institucion ky në kuadër të ministrisë së punëve të jashtme, thotë se do të krijohet një njësi e veçantë në kuadër të ministrisë së jashtme që do të trajtojë këtë cështje.

“Krijimi i një departamenti për diplomaci digjitale do të merret profesionalisht pikërisht me këtë temë për të evidentuar saktësisht rastet e tilla dhe për të kontaktuar qoftë drejtpërdrejtë nëpërmjet ministrisë sonë të jashtme qoftë përmes misioneve tona diplomatike që të shpjegohet, në shumicën e rasteve kërkohet vetëm shpjegime natyrisht profesionale dhe komunikim i sinqertë dhe miqësor dhe zakonisht zgjidhet çështje, më e komplikuar mund të jetë tek kompanitë tek shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën në këtë rast ndoshta nevojiten argumente shtesë por do të bëhet një gjë e tillë”, tha zoti Kiçmari.

Studenti Sovran Hoti thotë se qëllimi i tij është mbledhja e 200 mijë nënshkrimeve digjitale por kjo nuk do të mjaftojë.

“Natyrisht duhet edhe një reagim zyrtarë sepse sa do që arrihet shifra e lartë në fakt pa një reagim zyrtarë nga institucionet tona përkatëse mendoj që nuk do të ketë ndikim të mjaftueshëm”, tha ai.

Zoti Kiçmari thotë se detyrë e institucioneve shtetërore është që në secilin rast të reagojnë dhe të informojnë për siç thotë ai faktin real që Kosova nga viti 2008 ekziston si shtet i pavarur.

“Duhet ta nënvizojmë edhe një rast që edhe në disa shtete që e kanë njohur Republikën e Kosovës për shkak të mos rifreskimit të të dhënave dhe mos rifreskimit të programeve të tyre me të cilat operojnë ne kemi raste të tilla kur nuk është regjistruar Republika e Kosovës si shtet më vete por me kontaktet e para të diplomatëve tanë zakonisht zgjidhen problemet”, thotë ai.

Drejtori i Grupit Ballkanik për hartimin e politikave, Naim Rashiti thotë se Kosova ka dështuar të kryej punët në çështjet diplomatike, që nga zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe me shtetet që e kanë njohur por edhe përpjekjet për të siguruar njohje nga kompani të mëdha.

“Asnjë institucion asnjëherë nuk ka bërë gjë, nuk kanë menduar që të bëjnë gjë, nuk kanë planifikuar të bëjnë gjë, ka iniciativa të vogla që kanë bërë grupe qytetare për të futur Kosovën në Netflix, Amazon, Google apo Apple por këto janë të vogla dhe këto ishin dashur të ishin investime shumë më të mëdhaja institucionale”, thotë ai

Zoti Rashiti thotë se qytetarët e vendit po pësojnë në çdo aspekt për shkak të kufizimeve digjitale.

“Kjo do të jetë e dëmshme sepse ne si qytetarë do të mbetemi si qytetarë të rendit të dytë pa qasje qoftë në instrumente digjitale të ndryshme, të leximit, të blerjes së librave, të firmave, të kulturës, porosive të ndryshme që tani më me Covid-in dhe pas kësaj u dëshmu se do të jetë blerja ose biznesi online, biznesi kryesorë i jetëbërës të çdo qytetari dhe ne mbetemi mbrapa dhe do të mbetemi mbrapa deri sa Kosova të jetë në një farë formë anëtarë më i barabartë në skenën ndërkombëare me të tjerët”, tha zoti Rashiti.

Profesori Blerim Rexha thotë se mosnjohja nga këto kompani ka krijuar vështirësi për studentë dhe kompani të ndryshme teknologjike, që ndjehen të pabarabartë me vendet e rajonit.

“Ne nuk po mbërrijmë që të nxëmë hapin me vendet tjera sepse shteti sidomos në vitet e fundit nuk arriti që të implementojë strategjinë e njohjeve digjitale, deri në vitin 2011 e 2012 por pastaj shkuam në heshtje dhe kjo heshtje pastaj arriti në një mospunë, neglizhencë edhe sot jemi pas gati 20 viteve ende një vend jo i njohur digjitalisht përkundër faktit që Kosova ka shkallën e penetrimit të internetit ma të madhen në rajon”, tha ai.

Kosova ditë më parë kremtoi përvjetorin e 13 të pavarësisë së saj, të cilën deri tash e kanë njohur mbi 100 vedne të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatët e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG