Lidhje

Sonda e NASA-s dërgon pamje panoramike 360 gradë të planetit Mars


Sonda e NASA-s dërgon pamje panoramike 360 gradë të planetit Mars
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

NASA ka publikuar pamjet e para panoramike 360 gradëshe të marra nga sonda "Perseverance" në Mars. Është imazhi i parë me rezolucion të lartë i marrë nga Mastcam-Z nga Krateri Jezero, pasi rrotulloi me 360 gradë "kokën" e sondës.Jim Bell, eksperti kryesor për instrumentin Mastcam-Z të sondës thotë se ekipi është befasuar nga imazhet.

"Edhe pse shumë prej nesh e dinim teorikisht se çfarë të prisnim, përjetuam emocione shumë të forta. Ishte e pabesueshme", thotë ai.

NASA thotë se pamja panoramike u krijua duke bashkuar 142 imazhe.

"Kur filmon një panoramë si kjo në Mars, duket si shumë teknike. Dhe e tillë është, por edhe ngjason me përdorimin e telefonit inteligjent. Ajo që duhet të bësh është që të shikosh në drejtimin e duhur, dhe duhet ta rregullosh fokusin siç duhet", shpjegon drejtuesja e marrjes së imazheve Elsa Jensen.

NASA thotë se sistemi i kamerës mund të zbulojë detaje të vogla deri në 3 apo 5 milimetra afër sondës dhe 2 deri në 3 metra mbi shpatet që duken në horizont.

Panorama tregon skajin e grykëderdhjes së lumit të lashtë të Kraterit Jezero, si dhe një shkëmb të gdhendur nga era aty pranë - i gërryer nga miliona vjet rëre marsiane.

"Nuk të shkon mendja se kokrrat e rërës që lëvizin butësisht nëpër sipërfaqe do të shkaktonin shumë erozion. Por nëse ato veprojnë për dy, tre miliardë vjet, krijohen këto forma fantastike", thotë zoti Bell.

Sonda "Perseverance" u ul më 18 shkurt pranë deltës së lumit të lashtë në Kraterin Jezero për të kërkuar shenja të jetës antike mikroskopike.

Sonda do t'i kalojë dy vitet e ardhshme duke eksploruar grykëderdhjen e thatë të lumit dhe duke shpuar në shkëmbinjtë që mund të përmbajnë prova të jetës tre-katër miliardë vjet më parë.

Mostrat kryesore do të lihen mënjanë për t'u kthyer në Tokë pas një dekade. NASA shtoi 25 kamera në misionin prej 3 miliardë dollarësh - kamerat më të shumta të dërguara ndonjëherë në Mars.

Sonda e mëparshme e agjencisë hapësinore, "Curiosity" e vitit 2012, arriti të marrë vetëm imazhe të turbullta të terrenit. "Curiosity" po funksionon ende, ashtu si edhe "InSight" i NASA-s, megjithëse pengohet nga panelet diellore që mbulohen nga pluhuri.

Deri në fund të pranverës edhe Kina do të përpiqet të ulë sondën e saj, e cila hyri në orbitën rreth Marsit dy javë më parë.

Zoti Bell thotë se mund të kenë kohë të fiksojnë diçka pak më të njohur për ne tokësorët - pamjet e planetit tonë nga Marsi.

"Selfiet më të veçanta, apo jo? Të gjithë ne në Tokë, përmbledhur në një pikëz blu në qiell", thotë ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG