Lidhje

Pentagoni mban takimin e parë të Grupit të Punës SHBA-Kinë


Zyrtarët e lartë amerikanë të ushtrisë dhe agjencive të zbulimit kanë nisur të vlerësojnë mënyrat se si të përballen më së miri me atë që ata e shohin si kërcënim në rritje që vjen nga një Kinë e cila po forcohet.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin priti të hënën në Pentagon takimin e parë të Grupit të ri Punës mbi Kinën, duke bërë së bashku komandantët kryesorë ushtarakë, udhëheqësit civilë dhe anëtarët e komunitetit të zbulimit.

Sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby u tha gazetarëve se zoti Austin u dha 20 anëtarëve të grupit të punës disa "udhëzime fillestare" lidhur me atë që Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes e kanë përshkruar si një "sprint" për t'u siguruar që Uashingtoni është i përgatitur ndërsa Pekini vazhdon përpjekjet për të qenë një fuqi dominuese në skenën botërore.

Takimi i së hënës "ka për qëllim të zyrtarizojë misionin, kohën dhe rezultatet e grupit të punës ndërsa ata punojnë drejt një vlerësimi bazë të departamenteve, politikave, programeve dhe proceseve mbi çështjet e lidhura me Kinën", tha zoti Kirby.

Ai shtoi se grupi i punës pritet të përfundojë veprimtarinë e tij brenda katër muajve të ardhshëm, por ai shtoi se shumica e gjetjeve të tij "do të jenë informacione sekrete".

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi formimin e Grupit të Punës mbi Kinën muajin e kaluar gjatë vizitës së tij të parë në Pentagon si president.

Qëllimi, tha zoti Biden në atë kohë, ishte "të hartonte një rrugëtim të fortë përpara në çështjet e lidhura me Kinën".

Gjatë seancës së tij të konfirmimit në janar, zoti Austin u tha ligjvënësve se Kina është një "fuqi në rritje" dhe "konkurrenti më shqetësues me të cilin po përballemi".

Zyrtarët amerikanë vazhdimisht kanë ngritur shqetësime lidhur me përfshirjen e Kinës në spiunazh industrial, vjedhje të informacionit biomjekësor, manipulimin e mundshëm të teknologjisë, si rrjeteve celulare 5G.

Gjithashtu tensione të vazhdueshme ka patur rreth trajtimit fillestar nga ana e Pekinit të pandemisë së koronavirusit, fajin për të cilin zyrtarët kinezë janë përpjekur vazhdimisht t'ua hedhin të tjerëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG